GK miratoi fillimin e negociatave shtesë për Kosovën
Albeu.com
Treshja përfaqësuese dhe drejtorët politikë të Ministrive të Jashtme të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit (SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) janë pajtuar për fillimin e negociatave 120 ditëshe për statusin e Kosovës.Njoftohet se në takimin e mbajtur në Londër është arritur pajtimi që në fazën fillestare negociatat të zhvillohet nëpërmjet të diplomacisë "lëvizëse", ndërsa në një fazë të mëvonshme mund të organizohet edhe ndonjë takim i drejtpërdrejt i palëve. "Nëse rrethanat do të jenë të përshtatshme, të dyja palët do të duhej të uleshin së bashku", ka thënë një diplomat i lartë evropian, duke i informuar gazetarët për takimin e treshes me Grupin e Kontaktit. Ky dipolomat ka thënë se një takim i drejtpërdrejt eventual ndërmjet palëve do të mund të ishte i "tipit të Rambujesë". I njëjti diplomat ka thënë se një prej qëllimeve të treshes ndërkombëtare është që të dy palët t'i ngarkojë me përgjegjësi, e veçanërisht Beogradin. Ky raund i bisedimeve pritet të përfundojë në muajin dhjetor, ndërsa treshja përfaqësuese duhet t'i raportojë Grupit të Kontaktit. Muajin e kaluar, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara vendosi që çështja e statusit të Kosovës t'i kalojë Grupit të Kontaktit, pasi propozimi i të dërguarit të posaçëm për Kosovën, Marti Ahtisarit, i cili siguron pavarësi me mbikëqyrur ndërkombëtare, u bllokua nga Rusia.
Shtuar më 10/08/2007, ora 13:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori