Mbledhja Qeverisë së Kosovës, të gjitha vendimet që u morën sot

Qeveria e  Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 47-ën me radhë, në të cilën ka miratuar njëmbëdhjetë projektligje, tri udhëzime administrative dhe vendime të tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Jemi në javën e sensibilizimit të rëndësisë të luftës kundër korrupsionit dhe para se të nis mbledhjen e sotme, dua t’ju siguroj se do të vazhdojmë të mbrojmë dhe të angazhohemi deri në fund për kauzën, që na ka sjellë në qeverisje, pra drejtësi, barazi dhe luftë të pa kompromis kundër krimit e korrupsionit në çdo cep të Republikës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se vlerësimet e përvitshme të organizatave të ndryshme, tregonin se korrupsioni, ashtu si pushteti politik dhe financiar, ka qenë i përqendruar rreth qeverisë dhe se fushat më të korruptuara janë prokurimi publik, ndërmarrjet shtetërore dhe bizneset private.

“Këta tetë muaj të qeverisjes sonë, kanë dëshmuar se korrupsioni nuk mundet më të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik apo me rangjet e larta të ndërmarrjeve shtetërore. Sepse, dikasteret qeveritare sot udhëhiqen nga profesionistë, njerëz të mirë-edukuar dhe me integritet të lartë moral”, ka thënë Kryeministri në fjalën e tij të hapjes së mbledhjes së Qeverisë.

Njëmbëdhjetë projektligjet e miratuara në mbledhjen e sotme:

Projektligji për aktet juridike i cili përcakton llojet dhe hierarkinë e akteve juridike, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin e parimeve dhe standardeve për hartim, miratim, konsolidim, korrigjim, publikim dhe zbatim të akteve juridike. Dispozitat e këtij Projektligji janë të zbatueshme për të gjitha institucionet publike të nivelit qendror dhe lokal në Republikën e Kosovës që janë autoritete kompetente për nxjerrjen e akteve juridike. Dispozitat e këtij Projektligji nuk zbatohen për aktet administrative të përcaktuara me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore. Qëllimi i këtij Projektligji është ndryshimi dhe plotësimi i këtij ligji përmes adresimit të çështjes që ndërlidhet me përjashtimet, kufizimet, shpërndarjen proporcionale të lëndëve përmbarimore kur palët në procedurë janë institucionet publike dhe synohet të rritet efikasiteti në procedim të lëndëve përmbarimore, ulja e kostove të procedurës dhe zvogëlim i dëmit që mund t’i shkaktohet debitorit nga procedura përmbarimore.

Projektligji për kompensimin e viktimave të krimit i cili ka për qëllim të rregullojë funksionimin e Programit për kompensimin e viktimave të krimit dhe procedurat që lidhen me këtë program. Projektligji rregullon të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale dhe të vartësve të tyre. Përcakton autoritetet vendimmarrëse si dhe procedurat për realizimin e të drejtës për kompensim. Si vepra të dhunshme të kompensueshme janë të gjitha veprat që rezultojnë me vdekjen e viktimës, lëndimin e rëndë trupor, dëmtimi i rëndë i shëndetit fizik apo mendor. Projektligji përcakton zgjatjen e afateve të aplikimeve, llojet e dëmeve të kompensueshme, lartësinë e kompensimeve, qasjen e menjëhershme në kompensim dhe rregullon përbërjen e Komisionit për Kompensim.

Projektligji për deklarimin e prejardhjes dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave që ka për qëllim rregullimin e sistemit të deklarimit të pasurisë duke përfshirë mënyrat dhe procedurat e deklarimit të pasurisë dhe dhuratave, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së deklaruar dhe të dhuratave si dhe subjektet deklaruese me qëllim të parandalimit të korrupsionit, konfliktit të interesit dhe fuqizimin e integritetit të institucioneve publike. Projektligji përfshinë edhe sanksionimin e shkeljeve të evidentuara nga kontrollet. Ky Projektligj përmbyll reformën  e pakos së ligjeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile mes Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Projektligji ka për qëllim ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar midis dy vendeve më 25 gusht 2021, në Prishtinë. Kjo Marrëveshje zbatohet, parimisht, për të gjitha çështjet civile, procedurat lidhur me statusin, marrëdhëniet familjare, të punës, trashëgimisë, pronës dhe marrëdhëniet tregtare të personave fizik dhe juridik.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e bashkimit HORIZON EUROPE – korniza e programit për kërkim dhe inovacion. Sipas Marrëveshjes, Kosova do të marrë pjesë në Programin HORIZON EUROPE sipas afateve dhe kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale. Ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale përcaktojnë statusin ligjor të komunave, kompetencat dhe parimet e përgjithshme të financave komunale, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, marrëdhëniet ndër komunale duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet mes pushtetit lokal dhe qendror.

Projektligjin për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë, që ka për qëllim ngritjen e cilësisë së shërbimeve të komunave përmes matjes së performancës së komunave në ushtrimin e kompetencave vetanake, duke garantuar në të njëjtën kohë mbështetje financiare të bazuar në nivelin e arritur të shërbimeve të ofruara. Përmes këtij ligji përcaktohen parimet, rregullat, procedurat dhe standardet e matjes së performancës së komunave, si dhe funksionimi i grantit të bazuar në performancë.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale”.

Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Akreditim që rregullon funksionimin e kësaj Agjencie si organ rregullator i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Evropa Kreative”.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për themelimin e Grupit Koordinues Ndërinstitucional për të Drejtat e Njeriut. Grupi udhëhiqet nga  Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi, dhe ka këtë përbërje:

  1. Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës                             Kryesuese
  2. Avokati i Popullit                                                                                    anëtar
  3. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës                                        anëtar
  4. Ministri i Drejtësisë                                                                                  anëtar
  5. Ministri i Punëve të Brendshme                                                             anëtar
  6. Ministri i Financave  Punës dhe Transfereve                                       anëtar
  7. Ministri për Komunitete dhe Kthim                                                      anëtar
  8. Ministri i Arsimit Shkencës, Teknologjisë  dhe Inovacionit               anëtar
  9. Ministri i Mjedisit ,Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës        anëtar
  10. Ministri i Shëndetësisë                                                                             anëtar
  11. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal                                          anëtar
  12. Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit                                                    anëtar
  13. Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë/ZKM                                        anëtar
  14. Drejtori i Zyrës Ligjore/ ZKM                                                                anëtar
  15. Agjencia për Barazi Gjinore/ZKM                                                         anëtar
  16. Komisioni Qeveritare për Persona të Zhdukur/ZKM                        anëtar
  17. Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës               anëtar

Ky Grup ka detyra dhe përgjegjësi për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që të jenë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme si bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës; të zhvillojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për të zhvilluar dhe forcuar sistemin shtetëror për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut; monitorimin dhe koordinimin e zbatimit të legjislacionit, politikave dhe strategjive për të drejtat e njeriut; raportimin para Kuvendit për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës konform obligimeve kushtetuese dhe akteve ndërkombëtare; shkëmbimi i informatave dhe të dhënave në realizimin e rekomandimeve të përfshira në raportet e Këshillave kompetente dhe organeve të tjera të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Grupi mblidhet të paktën dy herë në vit.

Duke vlerësuar miratimin  e këtij vendimi, zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ka vlerësuar lartë angazhimin dhe vullnetin e madh të Qeverisë në promovimin dhe avancimin të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës. Ajo me një fjalë rasti ju është drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës në rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhje edhe Udhëzimin Administrativ për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjes në seanca gjyqësore të ekspertëve të mjekësisë ligjore. Ky Udhëzim Administrativ do të mundësojë ofrimin e shërbimeve nga fusha e mjekësisë ligjore në mënyrë institucionale duke eliminuar mundësinë e kompensimit për kryerjen e ekzaminimeve mjeko – ligjore pa bazë ligjore, e cila e ka dëmtuar në masë të konsiderueshme buxhetin e institucioneve të drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe Udhëzimi Administrativ për ndryshmin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për vlerësimin e ndikimit buxhetor për nismat e reja qeveritare. Ndryshimet dhe plotësimet janë fokusuar kryesisht në nenin 17 të Udhëzimit, ku i shtohet përmbajtja me anë të së cilës synohet që për të gjitha nismat e reja që rregullojnë skemat sociale të bëhet ndikimi i tyre buxhetor për një periudhë së paku 10 dhjetëvjeçare. Nismat që rregullojnë skemat pensionale duhet të ju nënshtrohen  ndikimeve buxhetore për periudha së paku (50) pesëdhjetëvjeçare.

Udhëzimi Administrativ për cilësinë e ujit të destinuar për konsumim njerëzor ka marrë gjithashtu miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky Udhëzim e vendos kuadrin normativ për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i njeriut nga efektet negative të ndonjë ndotjeje të mundshme.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është aprovuar nga Qeveria vendimi për emërimin e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar në përbërje:

  1. Nexhat Kryeziu – kryesues;
  2. Sokol Shasivari – anëtar;
  3. Vlora Berisha – anëtare;
  4. Mejreme Krasniqi – Sadiku – anëtare;
  5. Ardita Haxhiaj – anëtare;
  6. Sadik Berisha – anëtar; dhe
  7. Alban Lutfiu – anëtar.

Ky këshill ka për detyrë t’i kryejë funksionet e përcaktuara me Ligjin për Kontabilitetin, Raportim Financiar dhe Auditim.

Gjithashtu me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është aprovuar vendimi për transferim të ndarjeve buxhetore në Ministrinë e Shëndetësisë, në vlerë prej 2,702,425.61 euro ( dy milionë e shtatëqind e dy mijë e katërqind e njëzet e pesë euro e gjashtëdhjetë e një cent), te Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike me qëllim të zëvendësimit të burimit të financimit të bartjes së shpenzimeve të ndodhura në zbatim të vendimeve të Qeverisë për pagesën e shtesës prej 10% të pagës bazë, por jo më pak se 60 € (gjashtëdhjetë euro), për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik (profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës), për muajt gusht, shtator dhe tetor 2021.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Gjakovës për transferim të mjeteve buxhetore në Ministrinë e Ekonomisë, në shumën prej gjashtëqind e katërmijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tri eurove (604,793.00), për shlyerjen e obligimeve të Komunës së Gjakovës për financimin e projektit “Impianti i ujërave të zeza”.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Raporti për nivelin e ekzekutimit të projekteve të huamarrjes ndërkombëtare. Raporti evidenton se borxhi i përgjithshëm publik sipas gjendjes me 30 shtator 2021 ishte 1,655.17 milion euro, prej të cilave 569.53 milionë euro ishte borxh ndërkombëtar dhe 1,085.64 milion euro borxh i brendshëm. Treguesi i borxhit ndaj Bruto Produktit Vendor ishte 22.96%, duke përfshirë edhe gradacionet në vlerë prej 30.63 milionë eurove.

Miratimin nga qeveria në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për emërimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Dënuarve dhe të ish të Përndjekurve Politikë, me të cilin pas pikës 1 të vendimit, shtohen pikat për emërimin e Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë (‘’Sekretaria’’), në këtë përbërje:

  1. Shefik Sadiku,  udhëheqës i sekretarisë;
  2.  Naime Sherifi, zyrtare;
  3. Myzafer Lika, zyrtare;
  4. Faik Ajeti, zyrtar.

Ky plotësim dhe ndryshim i vendimit është miratuar me qëllim të ofrimit të mbështetjes teknike dhe administrative për Komisionin dhe me qëllim të mbarëvajtjes së punës në Komision.

Kryeministri ka apeluar te anëtaret e kabinetit qeveritar, që në kuadër të kapaciteteve dhe përgjegjësive të tyre, të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me krizën energjetike. Ministrja e Ekonomisë ka njoftuar se tashmë është krijuar një grup teknik që po analizon situatën dhe masat që do t’i rekomandojnë Qeverisë për miratim.

Me propozimin  e Ministrisë së Mbrojtjes është miratuar vendimi për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme në Aeroportin e Gjakovës, të cilat do të jenë të nevojshme për realizimin e projekteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës./Telegrafi/


Shtuar 10.12.2021 19:32