Gjyqtari Rrahman Retkoceri thotë se është kërcënuar dhe është detyruar të dalë publikisht dhe të bëjë të ditur votimin e tij kundër dënimit me 13 vjet burgim të të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, të premten e kaluar.
Retkoceri ka marrë të shtunën tri mesazhe telefonike – urdhëruese për të dalë publikisht dhe për të “shpërlarë” veten lidhur me verdiktin. Në një prononcim për të përditshmen “Koha Ditore”, Retkoceri ka thënë se “ashtu qysh ka thënë EULEX-i, ashtu edhe është”.
Ai nuk dëshiron të bëjë publike detaje të mesazheve kërcënuese të ardhura në telefonin e tij dhe shton se nuk di nga kush janë dërguar, por pavarësisht kësaj ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it për kërcënim.
Ish-komandanti i UÇK-së dhe deputeti Rrustem Mustafa u dënua me 4 vite burg, dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Latif Gashin me 6 vite dhe Nazif Mehmeti me tre vite burg.
Vendimi me të cilin “Grupi i Llapit” u dënua për krime lufte me 13 vite burg, është i padrejtë dhe joligjor, ka thënë ditë më parë gjyqtari kosovar, Rrahman Retkoceri, i cili ka qenë pjesë e trupit gjykues të përzier, që përbërë nga një gjykatë kosovar dhe dy gjykatës të EULEX-it.
Ndërkaq, Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi se i ka rekomanduar Komisionit Disiplinor ndërmarrjen e veprimeve adekuate ndaj gjykatësit Ratkoceri, për shkak të paraqitjes së tij publike në mjetet e informimit, që bie ndesh me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale të Gjyqtarëve. (telegrafi)
Shtuar më 08/10/2009,
ora 16:46