Gjykata e Apelit rrëzon "Bashkinë", i hapë rrugë shembjes
Pëlqej
Albeu.com
Vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Apelit, duke rrëzuar kërkesën e Bashkisë, i ka hapur rrugë Policisë së Ndërtimit për të vazhduar prishjen e mbikalimit të "Zogut të Zi" në Tiranë.Bashkia e Tiranës kishte kërkuar nga Shkalla e Dytë e Gjyqësorit, prishjen e vendimit të KRRTRSH-së dhe pezullimin e urdhrit për prishje të mbikalimit nga Policia Ndërtimore.

Vendimi

Dje, Apeli e ka parë të arsyeshme të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë për mospezullim të prishjes, duke e arsyetuar me mungesën e fakteve nga ana e Bashkisë Tiranë. Për të njëjtin vendim për mospezullim janë shprehur dy gjyqtare në Shkallën e Parë, ndërkohë që procesi është në vazhdim ndërmjet palëve, të paditur Policia e Ndërtimore dhe paditës firma ndërtuese EUROTEOREMA. Vendimi i dhënë nga gjyqtarja Miranda Ndoja, në datën 30 dhjetor 2005, për të mos pranuar sigurimin e padisë bërë nga Bashkia e Tiranës, ka shërbyer dje si objekt për arsyetimin e vendimit dhënë nga gjyqtarja Anila Kristani. Kjo gjyqtare vendosi të mos marrë parasysh kërkesën e Bashkisë së Tiranës për pezullimin e vendimit të KRRTRSH-së, që flet për prishjen e mbikalimit të "Zogut të Zi". E njëjta gjë ka ndodhur edhe dje në Apel.

Ndërtimorët

Në këtë mënyrë, Policia Ndërtimore e ka më të lehtë të fillojë ndërhyrjen për prishje të mbikalimit, i cili është bërë mollë sherri midis dy institucioneve. Sipas Apelit, Bashkia nuk legjitimohet në ngritjen e kësaj padie, sepse vendimi i KRRTRSH-së nuk është zbatuar, si dhe kërkesë-padisë së paraqitur nga ky subjekt i mungon objekti i saj. Në vendimin e KRRTRSH-së është vendosur shfuqizimi i vendimit nr.309 të KRRT së Bashkisë Tiranë, për sistemimin e rrugës së Durrësit me Unazën, duke përfshirë edhe mbikalimin. Gjithashtu, KRRTRSH-ja ka vendosur që për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Drejtoria e Policisë së Ndërtimit. Gjykata, pasi lexoi dosjen, arriti në përfundim se me aktin e KRRTRSH-së është vendosur shfuqizimi i një akti tjetër administrativ, ai i një vendimi të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës dhe nuk është urdhëruar kryerja apo moskryerja e ndonjë veprimi, por thjesht është shfuqizuar një vendim i një organi administrativ. Prandaj objekti i gjykimit nuk janë aktet e Drejtorisë së Policisë Ndërtimore, madje, ajo nuk është thirrur as si e paditur, por si person i tretë.

Të zhbllokohen punimet e ndërtimeve në Tiranë

Anëtarët e KRRT-së kërkojnë mbledhjen urgjente të saj

Ashtu si ndërtuesit, edhe anëtarëve të KRRT-së u ka sosur durimi. Dje 1/3 e anëtarëve të KRRT-së të Tiranës kanë firmosur një dokument, ku kërkojnë mbledhjen urgjente të KRRT-së, për të zhbllokuar situatën e ndërtimeve. Marin Biçoku, sekretar i KRRTRSH-së, deklaroi dje për mediat se Ministria e Transporteve kërkon që të mblidhet sa më parë KRRT-ja e Tiranës, në mënyrë që të zhbllokohen punimet e ndërtimeve në kryeqytet. Ky bllokim vjen si rezultat i mungesës së përgjegjësisë të Bashkisë së Tiranës, e cila e ka bojkotuar dhe bllokuar mbledhjen e kësaj KRRT-je disa herë me radhë. "Arsyeja e bojkotimit dhe bllokimit të KRRT-së nga kryetari i Bashkisë, është pikërisht fakti që ai nuk mund t’iu imponohet më anëtarëve të KRRT-së e të vendosë vullnetin e tij të jashtëligjshëm mbi dispozitat ligjore dhe ndërgjegjen profesionale të anëtarëve të KRRT-së", pohoi Biçoku. Sipas tij, këta anëtarë nuk janë më një alibi pa emër, pa zë, pa fytyrë, pa sy e pa veshë për aferat korruptive të kryetarit dhe shoqëruesve të tij.

Bashkia: Pushtetit qendror bllokon mbledhjet e KRRT-së

Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj kërkesës së ndërtuesve për të mbledhur KRRT-në e Tiranës. Drejtori i kabinetit në Bashkinë e Tiranës, Eduard Shalsi, deklaroi sot në një komunikim me mediat, se Bashkia i ka thirrur rregullisht mbledhjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës, por këto mbledhje kanë dështuar për shkak se rreth 2/3 e anëtarëve të KRRT-së, që janë përfaqësuesit e pushtetit qendror, kanë bllokuar zhvillimin normal të këtyre mbledhjeve. “KRRT-ja është një organ vendimmarrës, në përbërje të të cilit Bashkia gëzon një pjesëmarrje në rreth 1/3 e anëtarëve, ndërkohë që përfaqësuesve të pushtetit qendror u takon rreth 2/3 e anëtarëve. Kryetari i Bashkisë e ka thirrur KRRT-në e Tiranës respektivisht më datat 17, 21, 22 dhjetor 2005, si dhe më 13 janar 2006. Mbledhjet e mësipërme kanë dështuar për shkak se rreth 2/3 e anëtarëve të KRRT-së, që janë përfaqësuesit e pushtetit qendror, kanë bllokuar zhvillimin normal të mbledhjeve", pohoi Shalsi. Sipas tij, bllokimi është bërë për pretekse që, në fakt, burojnë nga shkaqe të pastra politike. Shalsi thekson se edhe më parë kanë denoncuar bllokimin politik qeveritar, që u shtri edhe mbi sipërmarrjen private, ku për shkak të pengimit të qëllimshëm të mbledhjeve të KRRT-së, nuk është bërë i mundur trajtimi i mbi 60 aplikimeve të subjekteve të ndryshme. Kryetari i KRRT-së do të vazhdojë vendosmërisht të thërrasë mbledhjet e KRRT-së dhe ne i bëjmë thirrje Kryeministrit dhe ministrit Basha, që të lenë mënjanë përfundimisht retorikat dhe të kuptojnë se u duhen dhënë fund njëherë e përgjithmonë bllokimeve të tilla, të cilat po cënojnë imazhin e Shqipërisë dhe po sjellin pasoja të rënda mbi biznesin privat”.

nga Alma Çuka, Gazeta Metropol
Shtuar më 02/02/2006, ora 12:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori