Gjykata e Apelit ka vendosur rigjykim edhe per te akuzuarit e tjere te Sopotit
Albeu.com
Gjykata e Apelit ka vendosur sot rigjykim e procesit gjyqësor edhe për shtatë të dënuarit e tjerë për rastin e Sopotit. Ky vendim është miratuar nga këshilli gjyqësor i përbërë i udhëhequr nga gjykatësi Ismail Limani, njofton agjencia e lajmeve INA.
Me këtë vendim në gjykatën e Kumanovës do të përsëritet procesi gjyqësor për tërë 11 të dënuarit për rastin e Sopotit. Avokati mbrojtës Vullnet Paçuku në fillim të kësaj jave deponoi ankesën pranë Gjykatës së Apelit, duke kërkuar që kjo gjykatë të marrë parasysh vendimin e këshillit penal të gjykatës së Kumanovës, për përsëritjen e gjykimit për rastin e Sopotit.

“Konform ligjit për procedurë penale, konform thënies latine që është pranuar nga sistemi juridik në RM, sipas parimit beneficium koheziones Gjykata e Apelit ka për detyrë të marrë parasysh vendimin e këshillit penal të gjykatës së Kumanovës sepse kemi të bëjmë për të njëjtin rast, të njëjtat dëshmi dhe nuk mund të kemi vendime krejtësisht të kundërta”, kishte pohuar avokati Vullnet Paçuku.

Nga ana tjetër, pritet edhe lëshimi i katër të burgosurëve të Sopotit, të cilëve kohë më parë i`u shqiptua masa e arrestit shtëpiak, deri në ripërsëritjen e procesit gjyqësor për Sopotin. 11 banorë të fshatit Sopot janë dënuar me mbi 160 vite burg, për shkak të incidentit që ndodhi në vitin 2003, me ç`rast nga shpërthimi i një mine në afërsi të fshatit humbën jetën dy ushtarë polak të NATO-s dhe dy persona civil, që gjendeshin në një mjet transportues ushtarak.
Shtuar më 02/07/2010, ora 15:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori