Gjykata: Durim Bami me rrezikshmëri, pse s’e liruam
Gjykata e Lartë zbardh arsyetimin e vendimit që la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Durim Bamin. Aktualisht Bami është i bashkëpandehur në një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë me ish-deputetin Mark Frroku dhe deputetin Tom Doshi. Ata akuzohen për "kallëzim të rremë" duke “fabrikuar” prova të rreme për një skenar eliminimi fizik të deputetit Doshi.

Në vendimin e shpallur më 31 mars 2016 në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal nuk pranoi kërkesën e Bamit për zëvendësim të masës “arrestit shtëpiak” me masën "detyrim për paraqitje". përmes një kopje të siguruar nga Panorama, shikohet vendimi i zbardhur dy ditë më parë, ku argumentohet përse Kolegji Penal nuk pranoi kërkesën e Bamit për t’i lehtësuar masën e sigurisë. Gjykata vlerëson se lirimi i të pandehurit Bami mund të dëmtojë hetimin gjyqësor dhe zbulimin e së vërtetës.

Duke iu referuar rrezikshmërisë së tij, Gjykata arsyeton se zbutja e masës së sigurisë e “zhvesh” atë nga mbikëqyrja e Policisë Gjyqë- sore dhe krijon mundësi arratisjeje apo kryerjeje të një vepre tjetër penale.

Durim Bami qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie” që prej 8 majit 2015, datë kur Gjykata e Lartë zbuti masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj tij më 30 mars të vitit të kaluar.

Arsyetimi
Në vendimin e përbërë nga 10 faqe në total, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Ardian Nuni dhe anëtarët Evelina Qirjako, Mirela Fana, Shkëlzen Selimi e Artan Broci arsyeton se në gjendjen aktuale të akteve, nuk ekzistojnë kushtet ligjore për lehtësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Durim Bamin.

“Në gjendjen që janë aktet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Durim Bami ka rrethana që tregojnë se, vazhdon të qëndrojë ‘dyshimi i arsyeshëm’ për kryerjen e veprës penale të ‘kallë- zimit të rremë’, në formën e krijimit të provave të rreme me qëllim që të kryhet ndjekja penale ndaj një personi tjetër”, argumentonte Kolegji.

Sipas gjykatës, nga data që të pandehurit Bami i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi” dhe deri në ditën kur është paraqitur kërkesa për zëvendësimin e kësaj mase, si dhe gjatë këtij gjykimi, nuk është evidentuar që të jenë lehtësuar nevojat e sigurimit, apo që të ketë shkaqe ligjore për zbutjen e masës së sigurisë.

RREZIKSHMERIA

Kolegji Penal i vlerëson të bazuara pretendimet e prokurorit se zëvendësimi i masës së sigurimit mund të ndikojë në procesin e të provuarit. Caktimi i masës së sigurimit ‘detyrim për paraqitje’ do mundësonte për të që të ndërhynte në procesin e të provuarit dhe se ajo i përshtatet rrezikshmërisë shoqërore të veprës në veçanti, por edhe autorit të saj.

Në thelb, vlerësohet se ndryshimi i masës së sigurimit për të pandehurin Durim Bami mund të dëmtojë hetimin gjyqësor dhe zbulimin e së vërtetës. Zëvendësimi i masës së sigurimit në ‘detyrim për paraqitje’ heq mbikëqyrjen nga ana e Policisë Gjyqësore dhe krijon premisa rrezikshmërie që i pandehuri mund të largohet ose të kryejë ndonjë tjetër vepër penale.

Duke marrë në konsideratë sa më sipër, kushtet dhe kriteret për zëvendësimin e masave të sigurimit personal, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se, në rastin konkret ndaj të pandehurit Durim Bami, nuk ekzistojnë kushtet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, për zëvendësimin e masës së sigurimit nga ‘arrest në shtëpi’, në atë të ‘detyrimit për paraqitje'”, thuhej në vendimin e gjykatës.

Në lidhje me rrezikun e largimit të të pandehurit Bami dhe mundësisë që ai t’i fshihet drejtësisë, Kolegji Penal përmend momentin e ndalimit të tij, më 2 mars 2015, në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. /albeu.com/
Shtuar më 29/05/2016, ora 15:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori