Gjykata Administrative, SHBA reagon për mosmiratimin e ligjit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadës së tyre në Tiranë, shprehën zhgënjimin që Parlamenti i Shqipërisë nuk miratoi Ligjin për Gjykatën Administrative. Ambasada deklaroi se projekti amerikan i ndihmës për Shqipërinë, me vlerë 16 milionë dollarë për këtë vit është anuluar.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj për dështimin në miratimin e ligjit mbi Gjykatat Administrative më 30 shtator 2010.
Ligji për Gjykatat Administrative u ndërtua për të ulur mundësitë për korrupsion, për të përmirësuar transparencën në sistemin gjyqësor, për të përforcuar sundimin e ligjit, për të rritur besimin e qytetarëve në institutionet publike, si dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor të Shqipërisë me standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Europian. Ligji ishte identifikuar si një kërkesë e rëndësishme për Shqipërinë dhe ka pasur mbështetje të gjerë nga partitë politike dhe komuniteti i biznesit”, thuhet në deklaratë.

Sipas ambasadës amerikane, dështimi në miratimin e këtij ligji ka çuar në tërheqjen e ndihmës së vazhduar të Sh.B.A. për përbërësin e Gjykatave Administrative në marrëveshjen e Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit, një projekt afro 16 milionë dollarë. Veprimtaritë e planifikuara më parë që tani nuk do të vihen në zbatim nga Sh.B.A. përfshijnë instalimin e një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, blerjen e pajisjeve, mbikqyrjen e sesioneve fillestare të trajnimit, si dhe kryerjen e një fushate ndërgjegjësimi për të informuar qytetarët mbi atë se cilat do të kishin qenë përfitimet nga Gjykatat e reja.

“Mosmiratimi i këtij ligji do të ndikojë gjithashtu edhe ndonjë shqyrtim në të ardhmen të “Statusit të Kompaktit” të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit si dhe mundësitë përkatëse për financim”, thekson selia diplomatike e SHBA, ne Tirane.

Ambasada e Sh.B.A. u angazhua aktivisht me të dy partitë dhe kërkoi mbështetjen e tyre për miratimin e këtij ligji. Ambasada e Sh.B.A. shpreh mirënjohjen e saj për masat e marra nga shumica parlamentare për të kërkuar miratimin. Është për të ardhur keq që opozita zgjodhi të mos votonte projektligjin.
Populli amerikan ka qenë bujar me ndihmën e tij të thellë për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. Qysh nga viti 1991, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbi 700 milionë dollarë ndihma për Shqipërinë, përfshi programe të përqendruara mbi pakësimin e korrupsionit, çuarjen përpara të shtetit ligjor, forcimin e institucioneve demokratike, përmirësimin e kujdesit shëndetësor, promovimin e sigurisë më të madhe, si dhe sigurimin e zhvillimit të vazhduar ekonomik”, vazhdon më tej deklarata.

Ambasada e Sh.B.A. shpreh keqardhjen që kjo mungesë e legjislacionit të nevojshëm për Gjykatat Administrative kërkon tërheqjen e mbështetjes për një nismë të identifikuar si e rëndësishme nga të gjithë shqiptarët”, thuhet në njoftim.
Shtuar më 06/10/2010, ora 17:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori