Gjosha: Zbatimi i Reformës në Drejtësi, jo vetëm kusht për negociatat
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim z. Michael Linhart, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Austrisë. Pas takimit u mbajt edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

Ministrja Gjosha falenderoi në emër të qeverisë Shqiptare, Austrinë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë. Austria së fundmi, është një nga iniciatorët e krijimit të grupit “Miqtë e Shqipërisë”, një grup që konfirmon mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për procesin e integrimit të vendit.

Ministrja Gjosha, u shpreh se ky grup ka një rëndësi të veçantë, pasi në këtë moment në të cilin ndodhet vendi ynë, pas marrjes së rekomandimit pozitiv për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, mbështetja e vendeve anëtare është e domosdoshme.

Shqipëria, nuk mund të ecë e vetme me procesin e integrimit, ka nevojë për miq, ashtu sikurse Austria ka qenë gjatë gjithë rrugëtimit tonë”, tha ministrja Gjosha.

Z. Linhart u shpreh se Austria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë me procesin e integrimit, si një partner i fortë i saj ndër vite. Z. Linhart tha gjatë konferencës për shtyp se sa më herët Shqipëria të nisë negociatat me Bashkimin Europian, aq më pozitive është për vendin.

Z. Linhart vlerësoi progresin e bërë me reformat. “Shqipëria ka bërë progres me reformat. Austria është një partner i fortë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Është e rëndësishme të theksohet se për integrimin gjithçka varet nga Shqipëria, dhe përpjekjet konkrete për zbatimin e reformës në drejtësi. Do të jemi në favor të hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE në dhjetor. Do të përpiqemi të bindim partnerët tanë për të mbajtur një qëndrim pozitiv për këtë”, tha z. Linhart.

Ministrja Gjosha, duke iu referuar investimeve austriake në Shqipëri me rreth 50 projekte të rëndësishme, veçanërisht në fusha të tilla si turizmi, shëndeti, apo furnizimi me ujë të pijshëm, theksoi se Shqipëria ka nevojë për investimet e huaja.

“Dua ti rikthehem edhe njëherë domosdoshmërisë që ka implementimi i shpejtë i reformës në drejtësi, duke nisur nga ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, jo vetëm si çelësi për hapjen e negociatave, por si kusht për rikthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë te sistemi i drejtësisë, si dhe investitorëve të huaj”, tha Ministrja Gjosha. /albeu.com/






Shtuar më 17/11/2016, ora 14:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori