Gjosha: Shqipëria ka nevojë të rrisë standardet dhe të forcojë institucionet
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë sot në konferencën “Mbështetja e BE-së dhe qytetarët shqiptarë, një perspektivë rajonale”.

Kjo konferencë u organizua me rastin e ceremonisë së mbylljes së projektit Instrumenti Lehtësues për Përgatitjen e Projekteve (PPF), të financuar nga BE dhe ADC.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe z. Sebastian Kurz, Ministër për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, i Republikës së Austrisë.

Z. Kurz, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Austria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për procesin e integrimit. Ministrja Gjosha u shpreh para partnerëve europianë se rruga e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së do të ishte edhe më e vështirë.

“Shqipëria ndodhet përpara një sfide shumë të madhe, atë të negociatave për anëtarësim. Për të tejkaluar këtë sfidë, jemi të vetëdijshëm se kryesisht, në kuadër të prioriteteve kyçe, kushtet që duhen plotësuar varen nga vullneti dhe angazhimi i gjithë aktorëve të shoqërisë sonë. Mbi të gjitha varen nga vullneti dhe përgjegjshmëria e klasës politike shqiptare”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja u shpreh se Shqipëria ka sot nevojë të rrisë kapacitetet, të rrisë standardet në shumë sektorë, të ketë ekspertizën e nevojshme për reformat, të ketë struktura eficiente institucionale, jo vetëm për tu zhvilluar më tej, por edhe për të qenë akoma dhe më shumë e përgatitur për të menaxhuar fondet e BE-së. /albeu.com/















Shtuar më 11/02/2016, ora 11:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori