Gjosha: Pa konsensus dhe pa mirëkuptim mes palëve s'mund të ecim përpara
Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha dhe nënkryetarja e LGI-së, Brunilda Paskali, morën pjesë në një takim me gratë dhe vajzat e LSI, në qytetin e Lushnjes.

Në fjalën e saj në takimin e djeshëm, Gjosha tha se është shumë e rëndësishme që të afrohen më shumë gra dhe vajza, sepse çdo energji e re sipas saj, i shërben të ardhmes së LSI.

“Unë besoj fort se forca e gruas është një nga shtyllat kryesore të LSI-së, e cila ka treguar se nuk i do gratë vetëm për fushatë, por është e para parti që ka vendosur kuotën 50% në të gjitha instancat e saj drejtuese. Kemi vënë kuotën 50% edhe në këshillat bashkiakë. Dhe kjo është arritje e madhe, por ajo që duam të bëjmë është që edhe në listat tona parlamentare të kemi 50% gra. Por për këtë duhet punë, duhen kapacitete, duhen njerëz me vizion, të arsimuar, njerëz që mund të jenë pjesë e këtyre listave, në mënyrë që LSI-ja t’i shërbejë qytetarëve të saj dhe të ketë një zë të fuqishëm brenda parlamentit”, tha kryetarja e LGI-së.

Gjosha shtoi se LSI sot është forca politike më konstruktive dhe që i ofron qytetarëve siguri dhe platforma të bashkëpunimit.

“Ka një mision të jashtëzakonshëm LSI-ja. Është mbështetësja më e madhe e procesit të integrimit. Këtë e ka treguar në 2009, në 2013 dhe së fundmi me reformën në drejtësi e cila u miratua me konsensus, falë punës së jashtëzakonshme të Kryetarit të Kuvendit. Kjo reformë është përshëndetur ndërkombëtarisht dhe kam bindjen se edhe qytetarët e këtij vendi kanë kuptuar shumë. Kanë kuptuar se pa dialog, pa konsensus, pa mirëkuptim mes palëve, Shqipëria nuk mund të ecë përpara”, deklaroi ajo.

Ne vijim shtoi se puna e LSI-së, nuk është vetëm sot për sot, por është një punë me vizion që do t’i shërbejë të ardhmes së vendit me standarde europiane./Albeu.com/
Shtuar më 22/10/2016, ora 10:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori