Gjosha: Konkretizimi i reformës kërkon vazhdimin e dialogut politik (FOTO LAJM)

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë vizitës dy ditore në Bruksel zhvilloi disa takime në Parlamentin Europian. Ministrja u prit nga eurodeputetët z. Eduard Kukan dhe z. Knut Fleckenstein.

Eurodeputetët vlerësuan maksimalisht miratimin konsensual të ReformësDrejtësi, duke e konsideruar si një hap të madh përpara për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Eurodeputetët vunë theksin te domosdoshmëria e implementimit të kësaj reforme, duke mundësuar rezultate të prekshme nga qytetarët.

Në këtë kontekst, Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, u shpreh se Shqipëria është e vendosur të konkretizojë zbatimin e ReformësDrejtësi, përmes procesit të integrimit.

Ministrja Gjosha theksoi se domosdoshmëria e dialogut politik konstruktiv i shërben pikërisht këtij procesi.

“Ky dialog dhe vullnet pozitiv i treguar për Reformën në Drejtësi, është i domosdoshëm të vazhdojë edhe me ligjet e tjera që duhet të miratohen, pasi i shërben të gjitha palëve politike, por dhe të ardhmes së vendit”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja theksoi se implementimi i ReformësDrejtësi do të kërkojë kohë, por shprehu bindjen se përmes kapitujve 23 dhe 24 të cilët lidhen drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës, zbatimi i saj do të bëhej më konkret.

“Prandaj dhe për ne është me shumë rëndësi, marrja e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në pikërisht me këto kapituj, të cilët në fakt do të jenë të parët që do të hapen dhe të fundit që do mbyllen”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja u shpreh se Shqipëria meriton një raport pozitiv nga Komisioni Europian dhe se marrja e rekomandimit do të ishte shtysa me e mirë, për të vazhduar rrugën e reformave shtetndërtuese, të cilat i shërbejnë të ardhmes së vendit dhe qytetarëve.

Eurodeputetët inkurajuan Shqipërinë për të ecur përpara me procesin e integrimit, duke nënvizuar se ky moment pozitiv duhet përdorur pikërisht në funksion të së ardhmes europiane. /albeu.com/
Shtuar më 30/09/2016, ora 11:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori