Gjosha: Bashkitë, rol përgjegjës për zhvillimin territorial
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë në Konferencën “Alterenergy, model komuniteti”, e cila u zhvillua në Bari të Italisë. Të pranishëm në këtë konferencë ishin z. Michele Emiliano, Guvernator në Rajonin e Pulias dhe z. Bernardo Notarangelo, Koordinator i Politikave Ndërkombëtare në Rajonin e Pulias.

Ministrja Gjosha falenderoi organizatorët e këtij eventi dhe u shpreh se bashkëpunimi me vendet në të cilat është zbatuar projekti “Alterenergy” ka qenë i suksesshëm në fusha të ndryshme, shkëmbime të ngushta tregtare si dhe pjesëmarrje në programe, projekte dhe iniciativa të financuara nga Bashkimi Evropian.

Ky projekt i ka dhënë ndihmesë vendit në përmbushjen e kritereve në sektorë të ndryshëm. “Me rajonin e Pulias jemi fqinj dhe vendet tona ndajnë një histori të gjatë miqësie.

Kjo lidhje kaq e fortë mes vendeve tona është dhe një ndër arsyet që bashkëpunimi ynë në fusha të ndryshme ka qenë i suksesshëm”, tha ministrja Gjosha.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Integrimit Europian, theksoi se ky projekt ka luajtur një rol të madh në ndërgjegjësimin e komunitetit dhe ka sjellë përafrim dhe zbatim më të mirë të procedurave ligjore të BE-së.

“Shkëmbimi i eksperiencave mes përfituesve të projektit, të përfshirë në këtë iniciativë krijon një “mënyrë europiane të të menduarit” përgjatë zbatuesve të projektit dhe përfituesve të fundit”, u shpreh ministrja.

Ministrja Gjosha u shpreh se ndër të rejat e këtij aksioni është dhe përfshirja dhe shënjestrimi i komuniteteve dhe bashkive të vogla, që përkon plotësisht me përpjekjet e qeverisë shqiptare që prej mesit të 2015.

“Shqipëria ka një ndarje të re administrativo-territoriale dhe Reforma Territoriale e ndërmarrë nga qeveria ka zvogëluar numrin e bashkive.

Tashmë bashkitë janë aktorët kryesorë përgjegjës për zhvillimin territorial brenda zonës së tyre. Kanalizimi i asistencës përmes bashkive është tashmë prioritet i qeverisë shqiptare”, nënvizoi ministrja Gjosha. /albeu.com/




Shtuar më 16/09/2016, ora 13:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori