Gjorge Ivanov dha betimin solemn si president
Albeu.com
Gjorge Ivanov prej sot zyrtarisht mori detyrën presidenti i shtetit. Ai para ndërtesës së Kuvendit u prit nga presidenti në largim Branko Cërvenkovski dhe nga Garda e Armatës së Republikës së Maqedonisë.Më pas në seancë solemne dha betimin dhe mbajti fjalimin e parë para deputetëve dhe mysafirëve të ftuar me rastin e këtij evenimenti.
Stabiliteti brendshëm, marrëdhëniet e mira ndëretnike, zhvillimi ekonomik, integrimi i vendit në strukturat euroatlantike dhe bashkëpunimi ndër fqinjësor, tha se do të jenë prioritet gjatë mandatit të tij 5 vjeçar.
"Funksioni president shteti për mua paraqet detyrë e cila nuk njeh opsione politike, etnike apo religjioze, kulturore apo lokale. Presidenti i shtetit është zë i secilit qytetar, ai edhe do të mbetet zë i demokracisë, unitetit dhe patriotizmit. Agjenda ime politike është e qartë dhe e padyshimtë: Maqedonia anëtare e NATO-s dhe BE, e fuqishme, e respektuar dhe e barabartë, ndërsa qytetarët e saj krenar, të pasur dhe të kënaqur", theksoi presidenti Gjorge Ivanov.
Edhe politika e fqinjësisë së mirë ishte pjesë e agjendës së presidentit Ivanov, në veçanti në raport me Greqinë.
"Duke mos anashkaluar marrëdhëniet me të gjithë fqinjët tanë, dëshiroj të theksoj se vëmendje të veçantë do t’i kushtoj marrëdhënieve me Greqinë. Do të bëj çmos që marrëdhëniet mes dy vendeve të zhvillohen ë frymën e fqinjësisë së mirë dhe besim të ndërsjellë. Nuk kam ndërmend e as nevojë, që në asnjë moment ti mbyll sytë para pengesave të mëdha në rrugën tonë siç janë moszgjidhja e çështjes me fqinjin tonë jugor dhe kriza ekonomike globale", nënvizoi presidenti Ivanov.
Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Ivanov ishin të pranishëm presidenti i deritanishëm Branko Cërvenkovski, kryeministri Nikolla Gruevski me anëtarët e Kabinetit të tij, përfaqësues të gjyqësisë dhe të komuniteteve fetare, korit diplomatik, si dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviqi, i Serbisë Boris Tadiq, i Kroacisë Sjtepan Mesiq dhe një ministre e Qeverisë së Turqisë.
Në inaugurimin solemn të presidentit të ri të Maqedonisë ishin të pranishëm edhe grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PRSD-së, PLD-së dhe DR-së. Inaugurimin e Ivanovit e bojkotoi vetëm PDSH-ja opozitare për shkak të mos-ftesës së presidentit kosovar Fatmir Sejdiu. (alsat)
Shtuar më 12/05/2009, ora 22:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori