Gjobitet djali i Hysni Milloshit pasi mbante armë sportive pa leje
Djali i ish kryetarit të Partisë Komuniste, të ndjerit Hysni Milloshi, është gjobitur nga Gjykata e Tiranës për mbajtjen pa leje të një arme zjarri sportive.

Sipas gjykatës, kjo armë është mbajtur me vete prej Renato Milloshit në 22 nëntor 2014, kur ai është konfliktuar në rrugë me shtetasin M.A. Në përfundim të procesit gjyqësor të zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin për akuzën e "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive", dhe e dënoi atë me 200 mijë lekë gjobë.

Në të njëjtën dosje ishte e pandehur edhe Sesilia E., që sipas gjykatës ka qënë bashkë me të pandehurin Milloshi në momentin e konfliktit. Po sipas gjykatës, ajo ka prekur armën pa leje dhe me të ka kanosur personin me të cilin është përballur Milloshi.

Ajo është shpallur fajtore për "mbajtje pa leje të armëve sportive" dhe për "kanosje". "Panorama" shkruan se Sesilia E., është dënuar me 4 muaj heqje lirie, por ajo nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Dënimi i saj konsiderohet i kryer, pasi është konsumuar me kohën që ajo ka qëndruar në masën e sigurisë "arrest shtëpiak". /albeu.com/
Shtuar më 08/04/2015, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori