Gjobë sapo të dilni, si do të ekzekutohet për personat që s’kanë kontratë me OSHEE
Duke filluar nga dita e nesërme futet në fuqi akti normativ, që sot u botua në Fletoren Zyrtare për vendosjen me detyrim të maskës sapo të dilni nga dera e shtëpisë me përjashtim të disa kategorive dhe vendeve, si në lokale dhe restorante.

Personat që nesër do të kapen pa maskë do të gjobiten 3 mijë lekë, ndërsa nëse e përsërisin masa administrative shkon 5 mijë lekë.

Por si do të ekzekutohet gjoba?

Në aktin normativ theksohet se gjoba për shkelësit do të shkojë te fatura e dritave, por në këtë pikë ka shumë probleme që lindin, pasi shumë individë nuk kanë kontratë me OSHEE-në, pasi jetojnë me qira. Për të detajuar gjithçka, në aktin normativ thuhet se do të ketë një udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

AKTI NORMATIV

Nr. 32, datë 12.10.2020

PËR NJË NDRYSHIM NË AKTIN NORMATIV NR. 3, DATË 15.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Neni 1

Pika 23, e nenit 3, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: “23. Barriera mbrojtëse (maska) është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë nga çdo individ. Individët, të cilët përjashtohen nga ky rregull, përcaktohen në udhëzimin e Institutit të Shëndetit Publik. Instituti i Shëndetit Publik nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën e përdorimit të barrierës mbrojtëse(maskës)jashtë shtëpisë.

Mospërdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) nga individët jashtë shtëpisë dënohet me gjobë në masën 3 000 (tre mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Të drejtën e dhënies së masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i masës administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike.

Mënyra e ekzekutimit të masës administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Por kush mund të ecë pa maskë nga nesër?

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fiço publikoi sot masat për vendosjen e maskës mbrojtëse në ambientet e hapura, e cila nga nesër do të jetë me detyrim. Fiço theksoi se maska do të jetë e detyrueshme për të gjithë personat mbi 11-vjeç gjatë qëndrimit jashtë shtëpisë, kur ecin në rrugë, në supermarket, në transportin publik dhe jo -publik kur udhëtojnë me persona të tjerë, para dhe pas konsumimit të kafes.

Ndërsa do të lejohen të lëvizin pa maskë ata që dalin nga shtëpia për aktivitet sportiv (vrap), ata që udhëtojnë vetëm me makinë, motoçikletë apo biçikletë, punonjësit që punojnë në ambiente të jashtme duke pasur distancë nga të tjerë si dhe studio televizive kur ruhet distanca.

Të përjashtuar nga kjo masë do të jenë edhe personat me probleme shëndetësore që kanë një rekomandim nga mjeku. Në çdo rast kontrolli atyre do i kërkohet një verifikim nga autoritetet policore që do të mbikëqyrin zbatimin e vendimit të ri të qeverisë nga dita e nesërme.
Shtuar më 14/10/2020, ora 18:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori