GJND: Rasti i Kosoves “pa urgjence”
Albeu.com
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ende nuk ka nisur procesin e shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pas kërkesës së parashtruar nga Asambleja e Përgjithshme të KB.
Burime të afërta me Gjykatën në Hagë kanë bërë të ditur për BBC se, OKB nuk ka kërkuar që rasti i Kosovës të shqyrtohet me urgjencë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi, pak javë më parë, një rezolutë të Serbisë, me të cilën kërkohet një këshillë nga GJND në lidhje me shpalljen e pavarësisë nga Kosova.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, nga ana e tyre, kanë kërkuar nga Gjykata që kur të shqyrtojë rastin t'i mundësojë edhe Kosovës paraqitjen e argumenteve të saj.

Zyrtarë të Gjykatës thanë se ende nuk e dinë statusin ligjor të Kosovës dhe nëse ajo ka të drejtën që të paraqesë pikëpamjet e saj para tyre. Gjykata thotë se e ka të drejtën e përzgjedhjes së një numri vendesh që vlerësojnë se kanë diçka për të thënë rreth çështjes së Kosovës, me qëllim që t'i ndihmojnë Gjykatës në dhënien e mendimit të saj.

Sipas tyre është Asambleja e Përgjithshme ajo që ka kërkuar mendimin dhe për dallim nga rastet e tjera të shqyrtuara deri tash, në rastin e Kosovës nuk do të ketë dy palë.

Burimet e afërta me Gjykatën, thanë se mendimi i 15 gjykatësve për rastin e Kosovës, nuk është obligativ por ai ka një ndikim, ose të menjëhershëm ose më vonë.

Autoritetet serbe e kanë cilësuar vendimin e Asamblesë së Përgjithshme për të dërguar kërkesën në Gjykatën e Hagës si një hap pozitiv dhe kanë nënvizuar se kjo shënon edhe mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i tha BBC-së se se është i bindur se çështja e pavarësisë së Kosovës nuk do të kontestohet asnjëherë nga asnjë Gjykatë. Ai ka shfaqur besimin e tij se GJND në fund do të njoh të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se qeveria e Kosovës në ditët e fundit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t'u përballur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ajo ka emëruar një ekspert britanik, Michael Ëood si kryesues të ekipit ligjor të saj për të mbrojtur të drejtën e Kosovës para Gjykatës.

Diplomatë perëndimorë thonë se mendimi i Gjykatës nuk do të ketë asnjë ndikim në pavarësinë e Kosovës, e cila sipas tyre është e pakthyeshme. (BBC)
Shtuar më 17/10/2008, ora 15:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori