Gjinushi: Nishani dhe Basha, kukulla që dirigjohen nga Berisha
Pëlqej
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi shprehet se Nishani po dirigjohet nga Berisha dhe se ligjet e kthyera në Kuvend nga ana e tij janë në harmoni të plotë me qëndrimet që mbahen dhe bëhen publike nga zëdhënësit e SHQUP-it.

Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, Gjinushi komentoi edhe rolin e liderit e ri të PD-së. Sipas tij Basha nuk ka arritur të largojë hijen e ish-liderit të tij. Në intervistën e tij për gazetën “Shekulli”, Gjinushi foli edhe në cilësinë e ishministrit të Arsimit, e më tej edhe për raportet e tij me Ramën pas marrjes së pushtetit, për “skandalin” e Bankës së Shqipërisë, për reformën territoriale dhe për mbylljen e një pjese të universiteteve private.

"Ndryshimet kushtetuese dhe produkti i tyre ishte një nga momentet kyç të prishjes së ekuilibrave politikë në Shqipëri. Kushtetuta e Shqipërisë sanksiononte zgjedhjen e presidentit me 84 vota, konsensual ose i pranuar nga të dy krahët. Njëherësh dhe krerët e institucioneve kryesore kushtetuese duhej të zgjidheshin po me 84 vota. Por ato ndryshime prishën këto ekuilibra. Ndërkohë që propozimet e fundit për ndryshimin e ligjit të KLD-së, që erdhën si propozime të Ministrit të Drejtësisë, shfaqën pikërisht këtë situatë, ku pavarësisht se mazhoranca qeverisëse i pati votat, pati një lëkundje të balancave. Por ajo që është më e rëndësishme ishte evidentimi i qartë i pasojave që vijnë nga zgjedhjet e krerëve të institucioneve pa konsensus, siç ishte rasti i presidentit, dhe në këtë rast kreu i KLD-së. Pasi synimi kryesor i ish- kryeministrit Berisha ishte kontrolli i të gjitha institucioneve, e veçanërisht gjyqësorit. Presidenti duhet të ishte i pranueshëm nga të dy krahët, duhet të ishte konsensual.

Nuk u zgjodh me konsensus dhe nuk arriti të dilte mbi palët siç bëri Topi nga fundi i mandatit të tij, sepse edhe ai në fillim ishte i varur nga partia sepse ishte pjesë e kryesisë së PDsë, madje ishte dhe kryetar i grupi parlamentar. Nga fundi kur Topi e hetoi se ai nuk mund të rikthehej më në PD ndryshoi kurbën. Filloi të sillej më me racionalitet dhe doli mbi palët. Berisha pas gabimit që bëri me Topin, dhe rrezikut të humbjes së zgjedhjeve hodhi në qarkullim për nominim për President disa persona të irritueshëm, njëra prej të cilëve ishte Jozefina Topalli. Ky ishte vetëm për konsum mediatik e kam thënë në një emision televiziv. Ndërkohë që Berisha kishte etiketuar personin që do të mbronte për 5 vitet e ardhshme kur të dilte në opozitë. Dhe koha e vërtetoi se zgjedha e tij, Nishani ishte goditje në shenjë. Ai së bashku me drejtuesit e KLDsë po mbrojnë Berishën dhe po pengojnë mazhorancën të kryejnë reformat e nevojshme që i duhen vendit për t’u integruar." shprehet Gjinushi.


Për Gjinushin Lulzim Basha nuk ka arritur të bëhet lideri i PD-së. Sipas tij një lider i ri duhet të ketë dy cilësi që të quhet lider i ri.

"Së pari duhet të dalë nga hija e atij që ka qenë para tij. Basha nuk ka arritur të largojë hijen e Berishës. Lulzim Basha e di se çfarë është vjedhja e votave se ashtu u zgjodh në krye të bashkisë por edhe si kryetar i PD-së. Është akuzuar nga kundërshtarët e tij se manipuloi zgjedhjet për kryetar të degëve. Po ashtu si ministër është akuzuar për korrupsion, u akuzua dhe për shtypjen me dhunë të protestave të 21 Janarit, nuk dha dorëheqjen si kryetar bashkie kur u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Ka bërë shkelje të mëdha. Basha dhe opozita duhet t’i bënin oponencë problemeve ose edhe dështimeve, apo defekteve të qeverisë aktuale apo personave të caktuar, ndërkohë ajo kërkon të sajojë “pisllëqet”, që dikur i ka bërë vetë, duke u përpjekur t’ia faturojë qeverisë. Në kohën kur tamam qeveria filloi luftën kundër drogës dhe që kur u ndërmor aksioni në Lazaratit, opozita krijon aleancën antidrogë duke e kthyer në një lëvizje qesharake. Ata vetë nuk bënë asnjë spastrim apo të kërkojnë dorëheqjen e dikujt për të akuzuar të implikuarit apo të kërkojnë rregullime në ligj. Ky është një avantazh i madh në aspektin formal. Ka vetëm ngatërrestarë në opozitë, dhe ndjekës të metodave të dikurshme të Berishës, nuk ka aspak origjinalitet." u shpreh Gjinushi. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 11:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori