Gjiknuri në Marinzë: Nuk ka vend për panik, gazi jo helmues
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ishte në orët e paradites në fushën e Patos-Marinzës në Fier për të ndjekur nga afër punën e strukturave shtetërore në menaxhimin e situatës së krijuar nga rrjedhja e pakontrolluar e gazit natyror prej dy puseve ku po ushtrohej aktivitet shfrytëzimi.

Kompania "Bankers Petroleum", e cila ushtron aktivitetin në këto puse ka aktivizuar planin e emergjencës që në orët e para të së mërkures ndërsa strukturat e shtetit janë vënë plotësisht në koordinim për shmangien e çdo rreziku për jetën e banorëve të cilët janë evakuuar plotësisht.

Ministri Gjiknuri takoi në terren Prefektin e Qarkut të Fierit, drejtuesit e kompanisë dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal.

"Prioriteti ynë kryesor mbetet jeta e qytetarëve. U informova se evakuimi është i plotë dhe nuk ka asnjë rrezik për jetën e tyre. Nga të dhënat e para të ekspertëve rezulton se gazi i rrjedhur nuk është helmues, nuk është nga ato gazra që mund të shkaktojnë shpërthime. Kjo është diçka e rëndësishme pasi bën që rreziku të jetë sa më i vogël", u shpreh ministri.

Gjiknuri konfirmoi se këto janë fenomene që ndodhin në fusha të naftës por me rëndësi është që autoritetet shtetërore dhe kompania të bëjnë punën e duhur.

"Mbi të gjitha kompania e cila ka përgjegjësinë kryesore që përmes masave të posatshme të ju përgjigjet këtyre të papriturave që ka sektori hidrokarbur. Nuk ka vend për panik. Jam këtu për të garantuar se qeveria shqiptare ka gjitha strukturat në dispozicion dhe po i kërkon kompanisë që ka të gjitha kapacitetet të kryejë të gjitha operacionet e duhura që rreziku të shmanget sa më shpejt", shtoi ai.

Pas vizitës në terren, Ministri mblodhi në një takim në zyrat e Albpetrolit, Prefektin e Qarkut të Fierit, përfaqësuesit e kompanisë Bankers Petroleum, përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe drejtuesit e emergjencave civile.

Gjatë këtij takimi, Ministri kërkoi marrjen e masave për të tejkaluar sa më shpejt situatën dhe mundësuar kthimin e sigurtë të banorëve në shtëpitë e tyre. /albeu.com/
Shtuar më 01/04/2015, ora 16:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori