Gjermeni në Elbasan: Plani vendor, garanci për investime të mëtejshme
Bashkia Elbasan ka përfituar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve për periudhën 2014 – 2016 financim të plotë për zbatimin e 20 projekteve. 3 prej tyre me vlerë prej 412 milion lekësh, që janë rrugë ndërmjet lagjeve u inspektuan nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, kryebashkiaku Qazim Sejdini dhe deputetët Taulant Balla dhe Evis Kushi.

Sa i takon projekteve: Sistemim asfaltim i rrugës "25 Nëntori”, rrugës “Rinia” dhe rikonstruksioni i rrugës “28 Nëntori”, Ministrja Gjermeni tha se projektet kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe bizneseve jo vetëm në këto zona, por në të gjithë qytetin e Elbasanit.

“Elbasanin do ta veçoja si një nga bashkitë model për nga pikëpamja e projekteve që ka zbatuar, të cilat kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve dhe zhvillimit të bizneseve vendase.

Sigurisht që qyteti ka ende nevojë për më shumë investime dhe jam besimplotë se Plani i Përgjithshëm Vendor për bashkinë Elbasan, që u mbështet nga Programi i USAID për Planifkimin dhe Qeverisjen Vendore, miratuar në dhjetor në Këshillin Kombëtar të Territorit ofron një kornizë të qartë të investimeve që do të realizohen në këtë bashki në vitet që vinë”, tha ministrja në prononcimin për median.

Deputeti Balla tha se me mbështetjen e dhënë nga kryeministri Rama, së shpejti do të nisë puna për ujësjellësin e qytetit, që do të bëjë të mundur zgjidhjen përfundimtare të furnizmit me ujë të qytetit të Elbasanit.

Për vitin 2017, granti konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale në vlerën 9.5 miliardë lekë, i ka kaluar Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Me fondin e alokuar për vitin 2017 ne do të vijojmë likujdimin e detyrimeve kontraktuale dhe mbylljen me sukses të 80 kantiereve të ndërtimit në kuadër të Programit Rilindja Urbane, si dhe financimit të programit “Shqipëria Dixhitale”, i cili përbëhet edhe nga granti konkurrues për inovacionin dhe teknologjinë e komunikimit. /albeu.com/

Shtuar më 18/01/2017, ora 12:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori