Gjermania kërkon informacione për Taulant Ballën, letër qeverisë
Akuzat e ngritura javët e fundit ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sa i takon miqësisë me Edmond Begon dhe ngjarjet në komisariatin e Krujës, duket se kanë tërhequr vëmendjen e Bundestagut gjerman.

Nga burime diplomatike mësohet se pesë deputetë të Bundestagut gjerman, pjesë e CDU-së, partisë së Kancelares Merkel, i janë drejtuar javën e shkuar me shkresë qeverisë federale, shkruan Politiko.al

Specifikisht Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe agjencive të tjera, me kërkesë për informacion specifik nëse ka të dhëna mbi përfshirjen e Taulant Ballës me malavitën e Shqipërisë dhe me degëzimet e saja në Europë.

Iniciativa e deputetëve gjerman lidhet me shfaqjen e Taulant Ballës në krah të kryeministrit Rama edhe në takimin me kancelaren Merkel, në fund të prillit të këtij viti.

Sipas ligjeve gjermane 15 nëntori është afati që Ministri i Punëve të Jashtme t’ju përgjigjet letrës së dërguar nga deputetët ndërsa bërja publike e këtyre informacioneve është në dorën e këtyre të fundit.

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Berlin u shoqërua me incidente, ku fillimisht deputetët gjerman refuzuan ftesën për darkë ndërsa gjatë takimit në Komisionin për Çështje Europiane të Bundestagut deputetët gjerman i kërkuan ‘llogari’ kreut të qeverisë shqiptare për sulmet e disa mediave të njohura si të afërta me mazhorancën, ndaj kryetarit të këtij Komisioni, Gunther Krichbaum.
Shtuar më 14/10/2018, ora 11:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori