Gjermania: Integriteti i Kosoves nuk vihet ne diskutim
Albeu.com
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Andreas Peschke, në një intervistë ekskluzive për programin shqip të DW-së apelon tek Serbia për më shumë pragmatizëm në lidhje me Kosovën dhe tek Kosova për më shumë shpejtësi në reforma.
Duke u përgjigjur në pyetjen rreth bilancit të qeverisë gjermane dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Peschke tha se “bilanci ynë për këto dy vjet është pozitiv. Kosova është njohur tashmë prej 65 vendesh, 22 prej të cilave janë anëtare të BE-së. Në vitin 2009 ajo u bë anëtare e FMN-së dhe e Bankës Botërore, çka bën të mundur për të një përfaqësim edhe në parketin ndërkombëtar. Pjesëmarrja e serbëve të jugut në zgjedhjet komunale ishte relativisht e lartë. Nëse dikush do ta kishte parashikuar një zhvillim të tillë dy vjet më parë atë do ta kishin quajtur një ëndërrimtar naiv”.
Natyrisht askush nuk e mohon që ekzistojnë probleme, të cilat duhet t'i zgjidhim bashkërisht. Por po të shohim misionin për mbështetjen e Eulex-it, në fillim kishte shumë njerëz që nuk kishin besim se ai do të instalohej, ndërsa tani ai vepron në të gjithë Kosovën, tha Peschke.
Duke folur për të ardhmen e veriut të Kosovës, Peschke theksoi se “ Për qeverinë gjermane është shumë e qartë: Integriteti i Kosovës nuk vihet në diskutim. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës. Ata që kanë një qëndrim tjetër përpiqemi t'i bindim që Kosova tashmë ka zënë vend në bashkësinë e popujve dhe se ne e mbështesim atë që të luajë rolin e duhur në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”.
Ndërkaq, duke folur për pikëpamjet e qeverisë gjermane rreth politikës së Serbisë ndaj Kosovës, ai tha se “: Kjo nuk është një çështje e lehtë për Serbinë. Ne për këtë kemi mirëkuptim. Por apelojmë vazhdimisht tek qeveria e Beogradit që çështjet e hapura në lidhje me Kosovën t'i trajtojë në mënyrë sa më konstruktive dhe pragmatike”.
Ai ka thënë se “kemi shumë apele për qeverinë e Kosovës. Rruga e demokratizimit dhe e reformave nuk ka përfunduar, përkundrazi. Shpejtësia e reformave duhet të rritet. Kosova duhet të bëjë hapa përpara edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne do ta shoqërojmë atë në këtë rrugë me simpati dhe miqësi dhe do ta mbështesim edhe më tej.
Mund t'ju them se ne kemi vëmë në dispozicion 240 milionë euro vetëm për vitin 2009. Ky është një angazhim shumë i madh dhe ne do të vazhdojmë ta mbajmë atë në këtë nivel.
Shtuar më 14/02/2010, ora 23:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori