Gjergj Dedaj kercenon Hashim Thacin
Albeu.com
Gjergj Dedaj i ka shpallur luftë Hashim Thaçit. Ai thotë se tash është momenti për t’i thënë ato që i ka heshtur për 11 vjet. “Kur ky njeri dëshiron të ma marrë fytyrën mua dhe t’i lajë duart me gjakun tim, atëherë do të ketë shumë telashe me mua, personalisht Hashim Thaçi”, thotë Dedaj.Gjergj Dedaj i ka shpallur luftë Hashim Thaçit, të enjten, disa çaste pasi që ky i fundit e shkarkoi nga posti i Zëvendësministrit të Transportit.

Në këtë post, Dedaj u emërua të premten e kaluar, duke provokuar kështu një sërë shkrimesh në shtypin e Prishtinës. Kryetari i PLK’së u denoncua si keqpërdorues i mjeteve financiare sa mbante postin e Zëvendësministrit të Punës. Kjo situatë duket se shtyu Kryeministrin Thaçi që ta shkarkojë atë.

“Këtë vendim Kryeministri Thaçi e ka marrë bazuar në të gjeturat e fundit nga organet kompetente, që flasin për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që z. Dedaj e ka bërë gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e Zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thuhet në një deklaratë të Qeverisë.

“Ky veprim i Kryeministrit Thaçi vjen në vazhdën e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe është në funksion të fuqizimit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efektive, në shërbim të interesave të qytetarëve të vendit”, vazhdon komunikata.

Këto fjalë e kanë çartë Gjergj Dedajn.

“Prej këtij momenti jam kundërshtar politik i Hashim Thaçit. Jo i PDK’së, jo i Qeverisë së Kosovës, jo i partive politike, por vetëm kundërshtar i Hashim Thaçit”, ka deklaruar Dedaj për Express.

“Unë do të kem përballje vetëm me Hashim Thaçin, të cilin e ftoj që brenda javës së ardhshme ose të më kërkojë falje publike ose të më presë në takim sy me sy. Përndryshe, do ta flas atë që e kam heshtur që 11 vjet”, ka kërcënuar ai.

Dedaj ka shtuar se heshtja e tij ka ardhur për hir të interesave nacionale.

“Kam heshtë për shkak të Kosovës, me ja shpëtue fytyrën vendit, UÇK’së dhe Hashim Thaçit. Kur ky njeri dëshiron me ma marr fytyrën mua, e me i la duart me gjak timin, atëherë ka me pas telashe me mua personalisht Hashim Thaçi”, ka deklaruar Kryetari i PLK’së.

Duke folur për akuzat ndaj tij, për avancet sa ka punuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Dedaj tha se për të gjitha avancet tashmë i ka dhënë shpjegimet dhe dokumentacionet.

“Pas përfundimit, e shohim nëse mbetet diçka mangu, shkoj i plotësoj. Asnjë ministër në Kosovë nuk e ka asnjë avancë të mbyllur”.

Ai tha se e ka ruajtur deri tani Hashim Thaçin duke qëndruar i urtë dhe i heshtur.

“Tani e kam parë se ai heshtjen time dhe dinjitetin tim, respektin tim, e ka keqpërdorë dhe donë me e njollos. Ka me u bind Hashim Thaçi dhe ai duhet me shënua datën 15 korrik 2010 sepse kjo datë është fillimi i fundit të tij”, tha Dedaj për Express.

Ai tha se është i gatshëm të përgjigjet për çdo gjë gjatë karrierës së tij, i bindur se nuk ka njeri në Kosovë që ka dhënë më shumë për Kosovën se ai.

“Ka me u bind kryeministri se në mesin e shumë gabimeve që ka bërë, sot e ka bërë gabimin më të madh të tij në jetë”, ka thënë ai. (express)
Shtuar më 16/07/2010, ora 12:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori