Intervista/A do të përcaktojnë tërmetet fatin e zgjedhjeve në Turqi?

“Institut Montaigne

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Turqia Jugore u godit më 6 shkurt nga dy tërmete shkatërruese, më të mëdhenjtë që e kanë goditur vendin në gati një shekull. Ndërsa votuesit shkojnë drejt qendrave të votimit më 14 maj për të zgjedhur presidentin e tyre, Turqia po hyn në një cikël elektoral shumë të nxehtë vetëm një muaj pas tragjedisë.

Për t’u përballur me presidentin aktual Recep Tayyip Erdogan, një bllok prej 6 partish opozitare emëruan zyrtarisht Kemal Kilicdaroglu si kandidatin e tyre presidencial vetëm pak ditë më parë. Kilicdaroglu është kreu i Partisë Popullore Republikane (CHP) dhe mund të marrë edhe mbështetjen e partisë pro-kurde HDP.

Erdogan ka qenë në pushtet për gati dy dekada, por a mund të mposhtet qeveria e tij? A do ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve ngjarjet e javëve të fundit? Ja çfarë mendon analisti turk, Soli Özel, anëtar i think-tankut francez “Institut Montaigne”.

Kanë kaluar disa javë që nga tërmeti i fortë që goditi Turqinë dhe Sirinë. Si do ta vlerësonit aktualisht situatën? A e ka arritur qeveria turke të koordinojë një përgjigje efektive?

Sipas shifrave zyrtare, numrin i të vdekurve vetëm në Turqi është mbi 48.000. Pra një katastrofë me përmasa të papërshkrueshme. Por me kaq shumë trupa të varrosur nën rrënoja numri i të vdekurve është me siguri edhe më i lartë. Përmasat e plota të tragjedisë mund të mos dihen kurrë.

Pse qeveria refuzoi të lejonte ndërhyrjen e ushtrisë, megjithëse ishte e pajisur më mirë se kushdo tjetër për të vepruar në një situatë të tillë?

Ka shumë të ngjarë që qeveria ta ketë synuar ta pengojë ushtrinë të kryente akte heroike, të cilat do të kishin forcuar prestigjin e saj në sytë e publikut. Në këtë drejtim, çështja rreth peshës politike të ushtrisë është padyshim domethënëse. Por mosveprimi i qeverisë mund të shpjegohet edhe me mungesën e koordinimit ndërmjet autoriteteve.

Udhëheqësit turq arsimohen shpesh në institucione teologjike ose fetare, të cilat nuk i përgatitin në mënyrë adekuate për të marrë përgjigjet e duhura në situata krize. Opinioni publik në Turqi është i ndarë në lidhje me menaxhimin e krizës nga qeveria. Një pjesë e madhe e popullsisë fajëson qeverinë se qëndroi duarkryq.

Por po ashtu drejtohet gishti i akuzës tek sistemi i rritjes ekonomike, që i ka dhënë prej kohësh përparësi ndërtimeve dhe ka inkurajuar ndërtime të rrezikshme, teksa ka mbyllur njërin sy ndaj kodeve dhe standardeve të sigurisë sizmike. Në garë për të ngritur sa më shpejt pallatet, ndërtuesit përdorën hekur të cilësisë së dobët dhe jo aq sa duhet çimento apo rërë.

Mua më bëri shumë përshtypje qëndrimi që mbajtën liderët gjatë daljeve të tyre publike pas tragjedisë. Nuk kishte as shenjën më të vogël të pendesës. Gjithçka që dukej se u interesonte ishte heqja e çdo përgjegjësie, largimi i vëmendjes nga dështimi i autoriteteve publike dhe shpëtimi i fytyrës politike përpara zgjedhjeve të majit. Me fjalët e tyre, fatkeqësia nuk ishte gjë tjetër veçse “çështje e fatit të keq”.

Gjatë 50 viteve të fundit, organizatat kryesore përgjegjëse për ofrimin e ndihmës për viktimat e fatkeqësive natyrore kanë shfaqur vazhdimisht një shpërfillje ndaj detyrës. Një nga më të njohurat, Gjysmëhëna e Kuqe Turke, shkoi madje deri në shitjen e tendave për OJQ-të lokale që mbështesin viktimat në nevojë.

Autoritetet kanë penguar pavarësinë e OJQ-ve në terren dhe madje janë përpjekur t’i pengojnë të shfaqen në televizion. Mediat e kontrolluara nga qeveria (95 për qind e mediave të vendit) u mobilizuan për të promovuar një narrativë që është shumë larg realitetit. Në fakt, qeveria i sheh këto OJQ lokale si rivale pasi suksesi i iniciativave qytetare vetëm sa hedh dritë mbi paaftësinë e saj.

Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen në maj. A do të ketë ndikim tërmeti?

Peizazhi politik në Turqi është aktualisht i ndarë në dy koalicione të mëdha partiake. Koalicioni qeverisës, Aleanca Popullore, udhëhiqet nga Presidenti Erdogan (AKP) dhe aktualisht përfshin Partinë e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe Partinë e Unitetit të Madh (BBP).

Opozita është kryesisht e bashkuar nën flamurin e Aleancës Kombëtare dhe bashkon 6 parti opozitare. Por ekziston edhe një bllok i tretë që mund të luajë një rol vendimtar në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. I përbërë nga parti të vogla të krahut të majtë, ai numëron gjithashtu një peshë të konsiderueshme politike në radhët e saj, me partinë kryesore pro-kurde të njohur si Partia Demokratike e Popullit (ose HDP).

Me 12-15 për qind të elektoratit, HDP do të vendosë fatin e këtyre zgjedhjeve. Kjo parti mund të përcaktojë shumicën që në raundin e parë nëse vendos të mos paraqesë një kandidat dhe të përkrahë Aleancën Kombëtare. Nëse do të jetë i nevojshëm një raund i dytë, analistët presin që HDP të mbështesë kandidatin e opozitës. Një mbështetje e tillë mund të mjaftojë që Aleanca Kombëtar të pretendojë fitoren.

Fushata do të dominohet nga çështjet rreth ekonomisë dhe inflacionit. Rajoni i goditur nga tërmeti banohet nga 13.5 milionë njerëz, dhe prodhimi i tij bujqësor përbënte 9 për qind të PBB-së kombëtare. Aktiviteti i biznesit vendas është rrudhur shumë, gjë që mund të krijojë mungesa në prodhim dhe të çojë në rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Turqia vuan tashmë nga një normë inflacioni mujore e barabartë me shifrën vjetore të eurozonës. Për herë të parë, edhe klasa e mesme ka të ngjarë të ndjejë pasojat rritjes së çmimeve dhe rënies së fuqisë blerëse, pasi inflacioni ka tejkaluar lehtësisht rritjen e të ardhurave.

Një çështje tjetër vendimtare do të jetë menaxhimi i krizës nga qeveria pas tërmeteve të shkurtit. Pavarësisht përpjekjeve propagandistike, dy muaj e gjysmë nuk do të mjaftojnë për të harruar dështimet e qeverisë. Edhe pse autoritetet kanë filluar tashmë rindërtimin, këto përpjekje nuk kanë gjasa të rivendosin besimin e publikut në të ardhmen e vendit ose në qeverinë e tij.

Për shumë njerëz në mbarë vendin, humbja e të dashurve ka ngjallur një zemërim të madh, veçanërisht në qytetet e mëdha në Turqinë Perëndimore. Edhe Stambolli gjendet nën një kërcënim të vazhdueshëm nga një tërmet masiv. Shumë prej godinave të qytetit nuk do t’i bënin ballë një tërmeti të asaj magnitude, duke vënë në rrezik jetën e qindra mijëra njerëzve.

Ndërkohë edhe pse një pjesë tjetër e popullsisë i mbetet verbërisht besnike presidentit, kriza mund të ndryshojë opinionin e votuesve për këtë çështje.

Si do ta vlerësonit reagimin e Evropës ndaj fatkeqësisë natyrore? Cila është marrëdhënia midis Turqisë dhe Evropës në mesin e luftës në Ukrainë dhe një rritje të ndjenjave anti-perëndimore?

Një nga momentet më të jashtëzakonshme dhe frymëzuese të kësaj krize ka qenë sasia dërrmuese e ndihmave që është derdhur nga e gjithë bota, duke përfshirë Australinë, Meksikën, Francën, Holandën, Izraelin dhe Greqinë. Kjo tregoi se Turqia nuk është e izoluar në skenën ndërkombëtare. Por ndihma që ka marrë Turqia do ta bëjë shumë të vështirë për qeverinë që

të vazhdojë të shprehë të njëjtën retorikë anti-perëndimore. Dhe kjo kthesë e ngjarjeve do të ndihmojë në diskreditimin e një argumenti të përsëritur në diskursin elektoral të Erdoganit. Marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë nuk janë aspak të mira.

Megjithatë, kjo krizë ka ofruar një mundësi për Bashkimin Evropian që t’i qaset Ankarasë me shumë më tepër simpati se më parë. Rezultati i zgjedhjeve do të jetë vendimtar që Brukseli të rikonfigurojë qëndrimin e tij ndaj Turqisë. Opozita nuk i dha më shumë shpresë Evropës.

Asgjë nuk sugjeronte se do të ishte më e favorshme apo fleksibël ndaj Perëndimit sesa qeveria ekzistuese. Por nga këndvështrimi i BE-së, çdo alternativë është më e mirë se sa mbetja në pushtet e Erdoganit. /albeu.com

 

 


Shtuar 17.03.2023 11:17

Tags: