Arrin në 27 numri i të arrestuarve në Lazarat
Update-Policia publikon detaje të reja në lidhje me operacionin e zhvilluar prej disa ditësh në Lazarat. Sipas të dhënave deri në këto momente janë arrestuar e ndaluar 27 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone. Po ashtu është proceduar penalisht dhe Kreu i Komunës Lazarat.

Policia e Shtetit edhe gjatë ditës së sotme vijon operacionin në fshatin Lazarat për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen e asgjesimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë kryer veprime të kundraligjshme.

Ndërkohë sot në orët e para të mëngjesit, nga forcat e policisë është gjetur një sasi e kunsiderueshme armatimi e municioni buzë lumit Drino dhe në lumin Drino, poshtë varrezave të reja të qytetit Gjrokastër. Armatimi i gjetur është i llojit të rëndë si Mitrolozë të rëndë, murtaja, granatëhedhës, granata, fishekë, predha murtaje, etj. Aktualisht në vendngjarje 2 grupe hetimore po kryejnë vepriemt procedurale dhe hetimore.

10:35- Në vijim të operacionit të ndërmarrë nga Policia e Shtetit në fshatin Lazarat, mbrëmë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Vangjel Hasim Tule, vjeç 29, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në banesën e këtij shtetasi në lagjen Gjokaj, i janë gjetur 17 thasë me lëndë narkotike kanabis sativa me peshë 46 kg, 14 granata mbrojtëse, 4 ndezësa të unifikuar, si dhe një kuti tjetër me ndezësa të unifikuar. Materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë për veprat penale “prodhim e shitje të narkotikëve” dhe “mbajtje e armëve e municoneve luftarke”.


Policia ka gjetur sot një arsenal armësh pranë varrezave të qytetit të Gjirokastrës. Dyshohet se armët e gjetura në këtë zonë janë të njëjtat armë që janë përdorur ndaj policisë në aksionin në Lazarat kundër kultivimit të kanabisit.

Pak ditë më parë policia njoftoi një grup prej 15 mercenarësh që luftuan në Lazarat arritën të largohen nga fshati pa rënë në duart e policisë pas 5 ditësh rezistencë.
Shtuar më 25/06/2014, ora 11:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori