Gjekmarkaj: Auroni u bën dëm Camajt e Koliqit sa ç'i leh qeni hënës
Nga AGRON GJEKMARKAJ

Prej dy ditësh, shumë miq të mi, disa të habitun e të tjerë të çmeritun, me shkruajnë: “A ke ndërmend me reague për një shkrim me do arna në formë dokumentesh të Auron Tares, me synim diskreditimin e Martin Camajt e Ernest Koliqit në vazhdën e Agjit Propit, të cilin gabimisht menduam se e kishim lënë pas. I jam përgjigj gjithsecilit, duke i thënë: “Çfarë bën ti nëse tu kalue rrugës gomari të bie me shkelm?”. Përgjigjet ishin nga ma të ndryshmet, por shumica konverguan në përfundimin se gomarit s’ke çfarë i bën, thjesht njeriu ikën në punë të vet dhe atë e len tu pallë sa ti punojnë mideja. Vetëm pak u shfaqën të gatshëm me ia kthy veshgjatit me të njëjtën mënyrë sikur ta kishin zanë ndër lakra.

Në fakt, në këtë rast, i shuemi Auron as me shkelm nuk i ka ra kujt. Thjesht ka dalë të dera e shpisë së vet e ka pallë e gërvallë sa i ka dhanë Zoti shnet. Ngaqë është i gjatë e ka fixhud, zëri i ka shku lart.

Shpesh e ka bërë këtë punë në forma të ndryshme, herë tu pozu me kallashnikov në dorë, herë tjetër tu vesh xhybe e tu vu pafka ndër kapota, kudra nemcjet e çizme të fabrikës së plastmasit, herë tu tregu barsoleta në televizor.

Kurrkujt s’i ka bërë keq me këto çartallime. As kësaj here, askujt. Ndonjë moment, kur ka dashur që myhyrin e sulltan Selimit me e vu si emblemë të kalasë së Lezhës, qytetarët e nxehun gazep desh ia futën ndër brenavekë e iku me vrap tu e ndalë frymën në Patok, nën hije pishash.

U them njerëzve, pash hatrin e Zotit, pushoni, mos u merakosni se është vapë e zheg, ndaj nuk ban me marrë seriozisht hokat e Auronit mbi historinë, me të cilën ai ka aq lidhje sa ç’ka nji peshk me nji shpend. Po, more njerëz të mirë e të bekuam, Ernest Koliqi asht Ernest Koliqi, Martin Camaj asht Martin Camaj, të cilëve Auroni mundet me u ba dam aq sa qentë që i lehin hënës.

Kurrfarë problemit nuk janë hulumtimet e Tares, botimet, si me shpifje, si pa to, nuk çojnë asnji peshë se shqiptarët i kanë tejet të forta shqisat me dallue madhështinë me kotësinë, njerëzit që i kanë dhanë asaj gjithçka me ata teveqelë pazarit, që për nder kanë barkun e për tru të poshtmen. Uf, Zoti u faltë, a mërzitet njeri për kaq?! A duhet me u mundue me dhanë përgjigje serioze tue citue dokumente, tu ba përgjithësime e krahasime. Avaz i vjetër në këtë vend. Sportista me gjys mushkniet e historianë pa dije ka boll.

Pas rënies së komunizmit iu turrën Skënderbeut, hajt ta ndërrojmë me sulltan Bajazitin thanë. Disa i matën gjatësinë e e qitën shkurtabiq, do tjerë e banë haram se na prishi me osmanët. Po Skënderbeu aty është e aty do mbetet se thjesht fare, shqiptarët e dinë që gjithçka lidhet me të, thurja e identitetit dhe e shtetit, ndërsa zhbërja me sulltanët e pak kopilët të tyret që kanë mbete gan në këto anë.

Po kaq me Ismail Kadarenë nuk met dështak me pagesë e gratis me të thanë mendja se paskësh qenë faji i këtij të fundit që këtyne s’u ka qeshë fati me gratë. Tarusha e taravola i janë germushë boll edhe atij, madje thanë t’i vëmë pullë të kuqe ndër libra, po pulla mbet e kuqe vetëm në faqen e tyne të zezë, teksa shkrimtari rrit ma tej famën e vet në botë.

Me Nënë Terezën kanë veprue edhe ma dahà, tu e gjujtë në origjinë, në fe, në kontribut, në Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri, po kurrkush s’i dëgjoi, u ba shënjtnesha shqiptare e gjithë botës e çdo delegacion shqiptar gukson me hir e pahir ndër kancelari emrin e saj për me u mburrë pak e me fitu begenisje.

Për qyfyret që Auroni shkruen buzë akshamit nuk duhet me ra në maraz, por kur ai bahet zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, deputet e drejtor i madh po, se i bie me këto mend që shkruan, ashtu i kryp punët e Shqipnisë.

Gjithsa ndodh e që do të ndodhë ende me Fishtën, Harapin, Pllumin e mbi 107 klerikë të pushkatuem, të martirizuem, një jetë burgjeve nga përbaltës që mecenatin e kanë në Qendër Albanologjike apo Akademinë e quejtun të Shkencave nga doracakë e talebanë me pagesë, e ka nji shpjegim njerëzor. Kësisoj, ata duan me justifiku të gjitha shërbimet, tjetërsimet, krimet që familjarët e tyre kanë bërë në epokat e shkuara dhe në regjimin komunist. Po prapë, as për këtë nuk ia vlen me ra në pezëm.

Të gjithë ata që mbajnë të lidhur këtë vend me brinjë të dala e lëkurë të rrjepur nga bijtë e vet të këqij me oksidentin dhe Europën janë sulmuar egërsisht. E bëri Enver Hoxha dhe mendoi se do ta dominonte historinë dhe u varros me madhështi e pompozitet, por e nxorën nga varri në një arkë duke marrë nga pas mallkimet e një populli. Para Enverit këta janë biçakë a zumparë pa vlerë. Ndaj nuk duhet turr, po buzëqeshje, durim e mëshirë.

Historia na ka dhënë leksione boll. Prej saj kemi nxënë që të gjithë njerëzit e mëdhenj të kësaj toke janë sha e përbaltë prej tradhtarëve që akuzojnë për tradhti, prej mohuesve që i vret kompleksi, prej xhahilëve që shëlbimin e gjejnë te dhuna, prej gjakatarëve që akuzojnë ata që zgjodhën jetën, prej dhunuesve që duan të pallojnë lirinë e të tjerëve për të gjykuar, prej teveqelëve të papunë e gajle që duan me saldu emrin e tyre mbi ndonjë parmak, t’u pre emrat e të mëdhenjve me sharrën e poshtërsisë. Por gjithmonë, gjërat, sado vonë, kanë shkuar në cakun që u takon. Teksa studentët brez pas brezi do magjepsen nga Koliqi e Camaj, nga Auroni do na mbesë ndonjë qeleshe e bleme në pazar dhe nji tabare austriet e nuk është pak.

E bukura zbut edhe Bishën e ul edhe pehashin e marrisë ndaj poezinë “Vendit tem” të Martin Camajt, me shumë dashamirësi po ia lëmë Auron Tares për engledisje.

Kur të vdes, le të bahem bar
Në malet e mia në pranverë
Në vjeshtë do të bahem fare.
Kur të vdes, le të bahem ujë
E fryma eme avull
Në fush’ do të bie shi.
Kur të vdes, le të bahem gur,
Në skajin e vendit tim
Të qindroj kufi./marrë nga Panorama http://www.panorama.com.al/analiza-gjekmarkaj-auroni-u-ben-dem-camajt-e-koliqit-sa-ci-leh-qeni-henes-sulmet-si-ato-ndaj-skenderbeut-nene-terezes-dhe-kadarese/?fbclid=IwAR3kTAIecjBa-T1_u_pZ6KkQ9qZ4yqGxsJDqNRg0Y-vqQ4yL-cgHeAG1fxM
Shtuar më 08/07/2020, ora 15:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori