Gërdeci, Mediu sërish para gjykatës
Fatmir Mediu
Gjykata Kushtetuse do të dërgojë për gjykim ish-Ministrin e Mbrojtjes në kuadër të cështjes Gërdeci ndërsa vendimi është përshëndetur nga shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit.

Në njoftimin për shtyp të Shoqatës së Familjarëve mësohet se, me vendimin nr. 27 dt. 09.05.2012 Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 5 dt. 01.03.2010 të Gjykatës së Lartë dhe si rrjedhim të kthejë për shqyrtim cështjen penale R. Durdaj dhe A. Hazizaj kundër Fatmir Mediut.
Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar të padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës mënyrën sesi Gjykata e Lartë vendosi të mosfillojë procedimin penal ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, ku ajo përdori pa të drejtë kompetenca që i takojnë akuzës duke cënuar paanshmërinë e gjykatës, si dhe interesat e ligjshme të të plagosurve”.

Sipas kësaj Shoqate, sot u sqarua edhe një nga momentet e errëta të një praktike të ndjekur gabim prej vitesh tashmë nga Gjykata e Lartë.
“Nga vendimi del qartë që gjykatës nuk i takon të vendosë për të filluar ose jo procedimin penal, e drejtë kjo që tashmë mund të thuhet zyrtarisht se i përket vetëm të dëmtuarit akuzues dhe vullnetit të tij”.

Vlen të theksojmë, thotë Shoqata se standardi i gabuar i gjykimit është përsëritur edhe në rastin e kërkesave të paraqitura nga të plagosurit e tjerë, të cilët janë trajtuar në të njëjtën mënyrë.
“Vendimi nr. 27 dt. 09.05.2012 i Gjykatës Kushtetuese do t’i celë rrugën një gjykimi më të drejtë dhe nga e para e të gjithë kërkesave të tyre”.

Më 12 dhjetor të vitit 2009, Durdaj dhe Hazizaj e akuzuan Mediun si shkaktar te dëmtimeve të tyre, pas tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec. Dy të dëmtuarit e kësaj tragjedie e akuzuan ish-ministrin Mediu, për "plagosje të rëndë nga pakujdesia".
Në mars të vitit 2010, Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes ndaj ish ministrit.
Më shumë se një vit më vonë, në qershor të vitit 2011, Roxhers Durda dhe Alketa Hazizaj, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të vënë “drejtësi”. /albeu.com/
Shtuar më 09/05/2012, ora 15:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori