Gërdeci, familjarët e viktimave kërkojnë rinisjen e hetimeve për Mediun
Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit kanë shprehur indinjatën për vendimin e pushimit të akuzave ndaj Fatmir Mediut. Sipas tyre, kjo është një provë e radhës që shtetasit shqiptarë nuk janë të barabartë.

“Kur ata janë të varfër, pa mbështetje vriten, plagosen, rrënohen ekonomikisht dhe më pas dënohen e masakrohen nga shteti, ndërsa ata që janë të veshur me pushtet gjejnë gjithmonë një varkë shpëtimi ti bëjnë bisht drejtësisë. Prova e gjallë është Fatmir Mediu i cili një herë shpëtoi nga imuniteti, pastaj shpëtoi nga vendimi i padrejtë i Gjykatës së Lartë të cilin Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi, dhe sot shpëtoi nga amnistia,” thuhet në deklaratën e tyre.

Ata i kanë bërë thirrje kryeprokurorit të ri që të rinisë procedimin penal ndaj Mediut.

“Megjithatë shtetasi Fatmir Mediu ka ende akuza të cilave nuk u ka bërë akoma bisht, dhe që janë pezulluar për shkak të imunitetit. Sot imuniteti nuk është më një pengesë ndaj presim nga Prokurori i Përgjithshëm të rinisë ndjekjen e cështjes. I kemi kërkuar kryeprokurores Ina Rama që të niste procedimin që në datë 26 tetor, ditën që imuniteti zyrtarisht u hoq si pengesë për të proceduar ministrat. E kuptojmë që Znj. Ina Rama mund të mos ketë qenë shumë e fokusuar në këtë cështje që kur se diskutohej mandati i saj. Por sot, me ardhjen e kryeprokurorit të ri Z. Adriatik Llalla, duke i uruar atij suksese në detyrën e re, i kujtojmë se suksesi i tij varet së pari nga këto cështje kaq të rëndësishme sic është zbardhja e ngjarjes së Gërdecit. Për këtë arsye presim prej tij që pa humbur kohë të rinisë procedimin penal ndaj Fatmir Mediut në Gjykatën e Lartë meqënëse tashmë nuk ka as edhe një pengesë të vetme për të proceduar”.
Shtuar më 10/12/2012, ora 16:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori