Gerbiqi, zyrtari i pare serb qe merr pjese ne pervjetorin e Pavaresise
Albeu.com
Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Branislav Gërbiq, e ka thyer akullin të mërkurën duke u bërë zyrtari i parë serb që ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar dyvjetorit të Pavarësisë së vendit.
Gërbiq që tashmë është anëtar i Grupit Parlamentar për Integrim, ndonëse ka ardhur në seancën solemne me dhjetë minuta vonesë, u është bashkuar kolegëve të tij deputetë dhe ka dëgjuar fjalimin e zyrtarëve më të lartë të shtetit, të cilët kanë sjellë kujtime nga e kaluara e vendit, i cili të mërkurën ka kremtuar dyvjetorin e Pavarësisë. Pjesëmarrjen në seancën solemne Gërbiq e ka quajtur veprim normal.
“Ne jemi pjesë e atij institucioni dhe kemi pranuar zhvillimet e reja në vend, kështu që pjesëmarrja ime në seancën solemne është veprim shumë normal”, ka deklaruar deputeti Gërbiq për “Kohën Ditore”. Ai ka shtuar se “pjesëmarrja në këtë ngjarje as që duhet të komentohet pasi që është veprim i drejtë”.

Por ndryshe nga deputeti Gërbiq, bashkëkombësit e tij në Komunën e Graçanicës, që gjendet rreth dhjetë kilometra larg kryeqytetit, thonë se nuk u ka bërë fare përshtypje dita e 17 shkurtit, kur Kosova shënon dyvjetorin e Pavarësisë së saj. E themeluar në zgjedhjet e 15 nëntorit nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Graçanicës dhe banorët e saj serbë e kanë kaluar në heshtje të mërkurën - përvjetorin e Pavarësisë.

Ndryshe nga komunat e tjera, të cilat janë stolisur me flamuj shtetërorë dhe kombëtarë, në Graçanicë të mërkurën, përveç në Stacionin policor, nuk është vërejtur asnjë flamur tjetër i shtetit të Kosovës. Ndërsa përbri objektit të Policisë, ku funksion komuna paralele serbe, valëviteshin tre flamuj të ndryshëm; një i shtetit serb, një amerikan dhe tjetri i Bashkimit Evropian.

Flamuj shtetërorë për nder të kremtimit të dyvjetorit të Pavarësisë kanë munguar edhe në objektin komunal legjitim, i cili gjendet jo shumë larg komunës paralele. Kremtimi i dyvjetorit të Pavarësisë nuk u ka bërë përshtypje banorëve të Graçanicës, të cilët nuk kanë përfillur vendimet e institucioneve vendëse, të cilat 17 shkurtin e kanë shpallur festë, në të cilën pushojnë shumica e institucioneve publike. Në këtë komunë procesi mësimor është zhvilluar normalisht. Shitoret dhe biznese të tjera kanë qenë të hapura.

Njëri nga pronarët e një shitoreje thotë se as që i ka rënë ndërmend se të mërkurën kosovarët festojnë dyvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Edhe kjo ditë për mua është e zakonshme. Punoj këtu në shitoren time si çdo ditë tjetër dhe as që më ka shkuar në mendje se sot është festë, pasi që nuk kemi ndonjë ndryshim prej një dite nga tjera, këtu çdo ditë është rutinë”, është shprehur Miodrag Mihajloviq.
“Pak” më i informuar ka dalë të jetë bashkëkombësi i tij, Dejan Jovanoviq, i cili ishte nisur tek shkolla për t’i marrë dy nipat e tij.
“E di që Kosova e ka shpallur Pavarësinë, por ajo nuk ka ndryshuar asgjë në gjendjen tonë ekonomike, gjithçka është njëjtë e ndoshta edhe më keq. Mirëpo, edhe kjo ditë është si ditët e tjera të zakonshme, nuk ka ndonjë veçanti”, ka deklaruar Jovanoviq (75).
Dyvjetori i Pavarësisë së vendit nuk është vlerësuar si festë as nga ish-qytetarja e Prishtinës, Milena Ristiq.
Kjo e fundit deri në vitin 1999 kishte jetuar në kryeqytet për t’u shpërngulur më pas në Graçanicë, ku është duke jetuar tash dhjetë vjet.
“Jam lindur në Prishtinë, por që nga paslufta jetoj në Graçanicë, edhe këtu jeta është shumë e rëndë, nuk ka ndonjë ndryshim nga komunat e tjera, e sa i përket Pavarësisë së Kosovës, siç po e shihni edhe ju këtu, nuk është festë, të gjithë po punojmë, si shkollat, komuna jonë, shitoret...”, ka theksuar Ristiq.
Shtuar më 18/02/2010, ora 16:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori