Genc Fuga: Një aktor paguhet më pak së punëtori i llaçit
Pëlqej
Genci Fuga është aktor, regjisor, pedagog në Universitetin e Arteve. Ai ka qenë një ndër njerëzit më aktiv ditëve të fundit, përsa i përket kësaj çështje.

Ka ngritur zërin e tij dhe ka kërkuar më shumë transparencë. Por nga ana tjetër ai ngre edhe problemin e pagave të ulta të artistëve.

Shpesh artistët ankohen dhe thonë që Shqipëria nuk është një vend për ta, pasi këtu nuk vlerësohesh, për ju si është?

Nëse bëjmë një llogari të thjesht me laps e letër dhe shkruajmë aty shumën që marrim për një rol kryesor dhe që “të del xhani”, me thënë të drejtën, ti ke një çmim të caktuar dhe po ju them me bindje se, në rast se këtë çmim e ndan në katër muaj punë, ne na del ora e punës më e lirë se sa ai përzierësi i llaçit, që tregun e tij e ka te “Partizani i Panjohur”. Një aktor në Shqipëri paguhet shumë më pak se sa një punëtor krahu.

Po pse ndodh kjo?

Për shumë arsye, por edhe sepse pas viteve ‘90 ne na ka ikur “prime time”, që do të thotë në televizion, pas edicionit të lajmeve të mbrëmjes, në orën 7 e 30, 8 e 30, këtë orar ku njerëzit qëndrojnë përpara ekranit e ka marr politika dhe emisionet për të.

Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga ky vend?

Unë kam përfunduar studimet pasuniversitare në Londër dhe u ktheva. E di që jetesa këtu mund të jetë me kosto për vajzat e mia, por egoja për të qenë pjesë e skenës është më e fortë. Disa më thonë: kokëderr, por… unë kam vendosur të qëndroj këtu.

Ke debat me bashkëshorten për këtë?

Jo, kemi gjetur një unison të përbashkët. Jemi të dy shumë egoistë për atë ç’ka është e jona. Për Tiranën që është qyteti ynë, për klubin e lagjes, për komshiun, që përmblidhet me një dashuri për këtë vend. sigurisht që dashuria mbledh brenda edhe shumë budallallëqe, shumë hatërmbetje, siç është dashuria në vetvete, por në fund fare mbetet një dashuri.

Keni qenë aktiv për sa i përket çështjes së teatrit?

Patjetër! Sigurisht, në jetë jam munduar të bëj edhe profesione të tjera, por nuk kam qene i plotësuar! Duke qene edhe pedagog në UA dhe njëkohësisht aktiv në skenën e teatrit, mund të them që gjysmën e ditës e kaloj me studentët e gjysmën me “profesionistët”. Të dy grupimet ushtrojnë “presionin” e tyre mbi mua. Gjendur në këtë situatë jam i prirur të shoh jo vetëm gjendjen aktuale, por të mendoj shumë edhe për të ardhmen, apo Strategjinë Kombëtare të Artit Skenik, që të mund të përballemi me sukses me të ardhmen!

Keni shpallur kandidaturën për drejtor të Teatrit Kombëtar. Sipas jush, cila është pika më e fort e programit tuaj?

Gjithçka mund të bëhet ndryshe. Orientimi im është respekti më i madh për spektatorin në plot kuptimin e fjalës, duke filluar që nga kushtet e deri te informacioni që duhet të ketë, kualiteti që duhet të marr në interpretim e sipër në ambientet e Teatrit Kombëtar, sepse po ua them hapur: spektatori mua më duhet për agjencinë më të fortë të reklamave që është “thashethemi”. Unë do të dëshiroja të dhe do të punoj fort që një spektator i caktuar të emetojë thashethemin e vet apo ta shpërndaj këtë thashethem deri në tre ditë. Dua që në familjen shqiptare thashethemi për teatrin të hyjë nga disa drejtime.

/Marrë me shkurtime nga gazeta “Dita”/
Shtuar më 28/03/2018, ora 12:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori