GDN i rikonfirmon Kosoves perspektiven evropiane
Albeu.com
“Mungesa e ligjshmërisë në veri shtetit të Kosovë i ka kushtuar humbje të mëdha, si në aspektin politik dhe atë financiar”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në Vjenë, para Grupit Drejtues Ndërkombëtar.Ai ka theksuar angazhimin e qeverisë që drejton për zbatimin e planit për integrimin e veriut, pavarësisht ekzistimit të qasjeve të ndryshme ndaj planit në fjalë.
“Do të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm, por përfundimisht të vendosur për rendin dhe ligjin në Veri të Kosovës – ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës dhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së”, tha Thaçi.
Kryeministri i Kosovës ka folur për përparimin e shënuar në Kosovë, por dhe problemet në takimin e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën në Vjenë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka konfirmuar mbështetjen e tij për Kosovën për perspektivën e saj evropiane, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi për Radio Evropën e Lirë, pas takimit të përfaqësuesve të këtij Grupi Mbikëqyrës, që u mbajt sot në Vjenë. Ndërkohë, analistët në Prishtinë kanë thënë se momenti më i rëndësishëm i këtij takimi është mbështetja për strategjinë për integrimin e veriut.
Kosova ka marrë mbështetjen Grupit Drejtues Ndërkombëtar për realizimin e objektivave të procesit integrues të saj në BE, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Pas takimit të mbajtur në Vjenë, të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili ka rolin e mbikëqyrësit të shtetit më të ri, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë përmes një bisede telefonike nga Vjena, se vendet anëtare u kanë dhënë mbështetje angazhimeve të Kosovës për zbatimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të Kosovës dhe me liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, në mesin e shumë çështjeve, Krasniqi ka thënë të jetë diskutuar edhe për strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës.
“Ne besojmë se Qeveria e Kosovës, nga ajo që u tha, ka marrë mbështetje të fuqishme për të gjitha angazhimet e veta në drejtim të realizimit të objektivave që dalin nga raporti i progresit të vitit 2009, zhvillimet në drejtim të liberalizimit të vizave, pastaj të marrëdhënieve tregtare me BE-në si dhe është diskutuar për strategjinë për veriun e vendit dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë kosovare”, ka deklaruar Krasniqi.
Raportin për arritjet dhe sfidat në Kosovë e ka prezantuar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati holandez, Piter Feith, i cili njëherësh është edhe Përfaqësues Civil Ndërkombëtar.
Ndërkaq, nga pala kosovare, ka folur kryeministri, Hashim Thaçi. Zëdhënësi Krasniqi ka thënë se theksi i deklaratës së Thaçi ka qenë i përqendruar në rezultatet, proceset dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet Kosova.
“Ka qenë një diskutim i drejtpërdrejtë, i hapur në mesin e mbështetësve të Republikës së Kosovës, ku janë diskutuar të gjitha çështjet, mes të cilave do të ndanim edhe aspektet politike, ekonomike e sociale”, ka theksuar Krasniqi.
GDN përbëhet nga 25 vende që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Takimi i sotëm në Vjenë është mbajtur në nivelin e drejtorëve politik të këtyre vendeve për Ballkanin.
Analisti Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, ka thënë se momenti më i rëndësishëm i këtij takimi, ishte përkrahja për strategjinë e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës për integrimin e veriut.
“Ajo çka do të jetë më me rëndësi për Kosovën, është përkrahja, që këto vende i japin strategjisë për veriun e Kosovës. Kjo ka rëndësi, sepse është hera e parë që bashkësia ndërkombëtare e dërgon një mesazh shumë të qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se bashkësia ndërkombëtare është serioze rreth integrimit të veriut në pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë Deda.
Analisti Ilir Deda ka theksuar se, bazuar në zbatimin e Pakos së Ahtisarit, GND, edhe nëse nuk i bën publike, në këtë fazë pritet të diskutojë dhe të vendosë edhe në lidhje me mandatin e Piter Feithit në Kosovë, i cili do t’i nënshtrohet një rishikimi të dytë më 11 shkurt, si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Kjo është paraparë edhe në planin e Ahtisarit, se dy vite pas shpalljes së pavarësisë, jo vetëm mandati i z.Feith, por i gjithë mandati i zyrës, të cilën ai drejton, do të rishikohet”.
“Se çka do të ndodhë, me siguri se do të jepet një plan, i cili do të çojë në zvogëlimin gradual të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe në një shuarje graduale të saj”, ka vlerësuar Deda.
Konkluzionet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar apo Mbikëqyrës, janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për Kosovën, marrë parasysh se aty bëjnë pjesë shtetet me më shumë ndikim në politikat e sotme botërore dhe vendet që e kanë njohur dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës.
Shtuar më 09/02/2010, ora 01:49
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori