Gazetarët kundër nismës së Ramës për të kapur ato pak media të lira që kanë mbetur
Pëlqej
Një grup organizatash të gazetarëve dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri i bënë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga plani për rregullimin e mediave online, të cilin e cilësuan rrezik për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në vend.

Shtatë organizata që veprojnë në fushën e medias apo në mbrojtje të të drejtave të njeriut dolën të premten me një deklaratë të përbashkët, ku i përsëritën kryeministrit Edi Rama thirrjen për tërheqjen e dy projektligjeve për median online.

Deklarata e përbashkët e BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders, Këshilli Shqiptar i Medias dhe Qendra Shqiptare MediaLook thekson se projektligjet cënojnë demokracinë në vend dhe lirinë e medias.

“Këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin,” vërejtën organizatat firmëtare.

Në dhjetor 2018, Këshilli i Ministriave dhe Ministria e Drejtësisë propozuan ndryshimin e ligjit funksional të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP si dhe Autoritetit të Medias Audiovizuale (AMA) me synimin e krijimit të një regjistri të çdo faqeje në internet dhe dhënies së të drejtës te një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave” për gjobitje të mediave në bazë të kërkesave të të tretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Projektligjet për “Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9918 Datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar- u japin të drejtë AMA-s ose Tatimeve të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare.

Veprimet në kuadër të të ashtuquajturës “paketë anti-shpifje” të qeverisë Rama u kritikuan në tetor nga përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Désir, që i cilësoi ato si me pasoja negative për lirinë e medias.

Edhe katër organizata ndërkombëtare të lirisë së medias, Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi, i dërguan një letër publike kryeministrit Edi Rama në dhjetor duke i kërkuar të tërheqë projektligjet.

Seancat dëgjimore për projektligjin, ku organizatat e gazetarëve dhe ato të të drejtave të njeriut në Shqipëri kanë marrë pjesë, u shoqëruan me përsëritjen e thirrjes së këtyre të fundit për autoritetet që të tërheqin projektligjet.

“Nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritaritar,” u shprehën organizatat në deklaratën e tyre. “Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët,” shtuan ato.

Shtatë organizatat hodhën gjithashtu poshtë pretendimin e AMA-s dhe zyrtarëve të qeverisë, përfshirë kryeministrin Rama se projektligjet në fjalë mbështeten në “modelin kroat”.

“Nga verifikimet tona, në Kroaci nuk ekziston asnjë legjislacion i ngjashëm për mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e medias në internet,” vërejtën ato.

Media online është vënë gjithashtu në një targetim të posaçëm, vërejtur kjo edhe nga tatimi në masën 20% që i bën ligji për TVSH medias online, tarifë kjo që për median vizive është ulur në 6%.

Organizatat bënë thirrje për korrigjim të tatimit për median online, si dhe nxitën qeverinë të shohë vetërregullimin e medias dhe edukimin e publikut përmes fushatave për rritjen e njohurive mbi median, propagandën, dizinformimin apo lajmet e rreme si mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit.

“Duke marrë parasysh detyrimet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, ne vërejmë se të dy projektligjet e propozuara përbëjnë hap pas në procesin e integrimit,” përfunduan shtatë organizatat deklaratën e tyre. /Ivana Dervishi- BIRN
Shtuar më 18/01/2019, ora 17:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori