Kush është Endrit Dokle, Ervis Martinaj i ofroi 500 mijë euro Nuredin Dumanit për kokën e tij

Mbrëmjen e djeshme, në një aksion “blic”, policia ka arrestuar Fatjon Miftarin, i cili ka qenë i shpallur në kërkim. Gjithashtu u shoqëruar dhe Endrit Dokle dhe Gentian Reçi. Këta dy të fundit, janë liruar mëngjesin e sotëm.

Por kush është Endri Dokle?

Endrit Dokle është ish-anëtar i bandës së Durrësit. Ai ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm, por në vitin 2020 la qelinë në Fushë-Krujë, pasi gjykata vendosi ta lirojë. Ka qenë gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka vendosur që të lirojë me kusht Doklen, duke pranuar kërkesën e avokatëve të tij.  Gjykata e ka liruar me argumentin se ka krye ¾ e dënimit, për sjellje të mirë në burg dhe për arsye shëndetësore dhe disa rrethana të tjera specifike, që mbeten për t’u sqaruar.

Gjatë kohës që ndodhej në qeli, ish-ushtari i Lulzim Berishës mori një tjetër dënim, për trafik droge, pasi u provua se drejtonte nga qelia një grup të strukturuar kriminal.

Emri i Dokles është rikthyer sërish në vëmendje pas dëshmive të të pendurit të drejtësisë Nuredin Dumani si dhe pas vrasjes së trefishtë në Fushë-Krujë ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Për ngjarjen e Fushë-Krujës prokuroria ka kërkuar marrjen e tij në pyetje.

Kujtojmë se në dosjen hetimore të Dumanit, ku i fundit ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj (fati i të cilit mbetet mister që pas zhdukjes) për të vrarë Endrit Doklen. Ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 euro.

Gjithashtu Dumani shpjegon se në emër të Ervisit kanë shkuar dhe e kanë takuar në Kosovë dy shtetas një i thirrur Eli dhe një tjetër që është vëllai i Besian Xhixhës. Ata kanë vajtur me një automjet tip Hummer. Gjatë takimit Eli ka komunikuar me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit ka komunikuar me Elvisin i cili i ka propozuar vrasjen e Endrit Dokle.

SPAK ka arritur të vërtetojë se Eli është pikërisht shtetasi Elvin Merlika, kurse shtetasi që Nuredini e prezanton si vëllai i Besianit është pikërisht shtetasi Alket Xhixha. Alket Xhixha dhe Elvin Merlika kanë udhëtuar në drejtim të Kosovës me automjetin tip Hummer të cilin e identifikon Nuredin Dumani. Në vijim të komunikimeve Nuredini ka marrë një shumë prej 100 000 Euro nga Martinaj.

Këtë variant e ka konfirmuar edhe Henrik Hoxhaj. Sipas këtij të fundit “çmimi ishte mbi 500.000 Euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi”.

Pas deklaratës së Dumanit fillimisht hetimet u  fokusuan në drejtim të identifikimit të vëllait të shtetasit Besian Xhixha, person i cili më parë kishte bashkëpunuar me Nuredinin në vrasjen e shtetasit Bujar Çela etj.

Në dosje thuhet se Nuredini dhe Hoxhaj pasi e kanë ndjekur për pak kohë Doklen kanë arritur në përfundimin se ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk u krye asnjë veprim.

Pjesë nga dosja

12.1        Në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.75 të vitit 2022 shtetasi Nuredin Dumani ka deklaruar ndër të tjera se ka marrë porosi nga shtetasi Ervis Martinaj për të vrarë shtetasin Indrit Dokle. Ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Gjithashtu Nuredini shpjegon se në emër të Ervisit kanë vajtur dhe e kanë takuar në Kosovë dy shtetas një i thirrur Eli dhe një tjetër që është vëllai i Besian Xhixhës. Ata kanë vajtur me një automjet tip Hummer. Gjatë takimit Eli ka komunikuar me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit ka komunikuar me Elvisin i cili i ka propozuar vrasjen e Indrit Dokle.

12.2        Nga hetimi është bërë e mundur që të ientifikohet se shtetasi Eli është pikërisht shtetasi Elvin Merlika, kurse shtetasi që Nuredini e prezanton si vëllai i Besianit është pikërisht shtetasi Alket Xhixha. Alket Xhixha dhe Elvin Merlika kanë udhëtuar në drejtim të Kosovës me automjetin tip Hummer të cilin e identifikon Nuredin Dumani. Në vijim të komunikimeve Nuredini ka marrë një shumë prej 100 000 Euro nga Ervisi.

12.3        Në lidhje me këtë moment Henriku ka shpjeguar se: …Po kështu Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Indrit Dokle. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500.000 Euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Gjithashtu, Nuredini kishte informacion se Indriti jetonte tek një vilë në kompleksin Rolling Hills. Po me makinë me qira kam shkuar deri tek TEG për të vënë re nëse mund ta shihja Indritin por nuk e kam parë. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Toyota. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Indritin”.

12.4        Prokuroria në kërkesën e paraqitur lidhur me këtë moment arsyeton se: Nisur nga të dhënat e përftuara nga deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani fillimisht hetimet u fokusuan në drejtim të identifikimit të vëllait të shtetasit Besian Xhixha, person i cili më parë kishte bashkëpunuar me Nuredinin në vrasjen e shtetasit Bujar Çela etj. Nga verifikimet e çertifikatave familjare dhe personale u arrit të identifikohet se shtetasi Alket Xhixha është vëllai i shtetasit Besian Xhixha. Më tej nëpërmjet sistemit TIMS u evidentuan hyrje – daljet e shtetasit Alket Xhixha në drejtim të Republikës së Kosovës (kjo edhe në verifikim të të dhënave të përftuara nga deklarimi i Nuredinit). Ky verifikim në sistemin TIMS kishte si synim që të evidentoheshin automjetet me të cilët ka udhëtuar shtetasi Alket Xhixha në drejtim të Kosovës. Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se shtetasi Alket Xhixha ka udhëtuar nga Shqipëria për në Kosovë (Pika e Kalimit Kufitar Morinë) edhe me automjetin tip AB309BZ dhe më konkretisht ai ka dalë nga Republika e Shqipërisë në datën 18.01.2021, ora 15:23:48 së bashku me shtetasin Elvin Merlika i cili ka qenë në drejtimin e këtij mjeti me orë dalje 15:23:36. Elvin Merlika është drejtuesi i automjetit me targë AB309BZ. Po kështu këta dy shtetas rezulton të jenë kthyer në Republikën e Shqipërisë po në datën 18.01.2021 me të njëjtin automjet me targë AB309BZ. Shtetasi Elvin Merlika rezuton se ka hyrë nga Pika e Kalimit Kufitar Morinë në datën 18.01.2021, ora 20:08:00 kurse shtetas Alket Xhixha me po të njëjtin automjet dhe datë por ora është 20:08:00. Sipas procesverbalit të datës 04 Maj 2022 rezulton se automjeti me targë AB309BZ është i tipit Hummer, me ngjyrë të zezë, me pronar shtetasen Jonida Sami Merlika. Gjithashtu rezulton se shtetasi Rrahim Dumani, kushëri i shtetasit Nuredin Dumani ka disa hyrje dalje nga Shqipëria në Kosovë ku ka edhe udhëtime me autobuz. Të dhënat e marra përmes deklarimit të Nuredin Dumanit përputhen me se miri edhe me rezultatet e këqyrjes së realizuar nga ana policisë gjyqësore të evidentuara më lart. Tërësia e këtyre provave krijon dyshimin se shtetasit Nuredin Dumani, Ervis Martinaj, Elvin Merlika, Alket Xhixha dhe Henrik Hoxhaj, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminal./albeu.com

 


Shtuar 9.10.2022 10:05