Gati shkarkimi i Artur Zhejit: I njëanshëm pro PD
Albeu.com
Këshilli drejtues i televizionit publik shqiptar RTSH, ka vendosur dje që të nisë procedurat për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të radio-televizonit publik shqiptar Artur Zheji.Një nga arsyet është se televizioni publik shqiptar është i njëanshëm politikisht pro PD-së që është në pushtet, ndërsa para zgjedhjeve kjo media anonte nga PS. Burime pranë Këshillit Drejtues të RTSH thonë se në sondazhin e realizuar nga KKRT, rezulton se televizioni publik anon 75% në drejtim të PD, ndërsa para zgjedhjeve kishte ndodhur e kundërta, ndërkohë, burime nga KKRT nuk thonë shifra ekzakte për përqindjen por konfirmojnë se sondazhi ka nxjerë që RTSH i jep dyfishin e kohës mazhorancës krahasuar me opozitën. Halil Lalaj, kryetari i Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve tha dje për Gazeta Shqiptare se “konstatimi i bërë në lidhje me RTSH është i drejtë, por inisiativa është pak e sforcuar. Asnjë vërejtje nuk është thënë deri tani për Zhejin”.
Dje është realizuar votimi dhe vetëm një nga anëtarët e këshillit ka votuar kundër ndërsa të gjithë të tjetër pro nisjes së procedurave për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të RTV publik shqiptar. Kërkesa për nisjen e procedurave për shkarkimin e Zhejit u paraqit nga disa prej anëtarëve të këshillit drejtuesi si, Kiço Blushi, Moikom Zeqo, Petrit Ymeri, Agron Bala, Ilir Yzeiri, Fran Kulli apo Mirush Kabashi. Këshilli pasi miratoi me shumicë votash kërkesën për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm Artur Zheji vendosi që votimi për të realizohet të hënën në ora 5. Nisja e procedurave për shkakrkim u bë pasi ata që e kërkuan këtë shpjeguan edhe arsyet. Sipas tyre drejtori i përgjithshëm Artur Zheji nuk ka zbatuar detyrat e lëna nga ana e Këshillit Drejtues të RTSH si dhe është përgjegjës për moskthimin e televizionit në një televizion të vërtetë publik. Burime pranë këshillit thanë për “Gazeta Shqiptare” se nismëtarët e kësaj kërkese kanë përmendur edhe vërejtjet që kanë të bëjnë me njëanshmërinë e theksuar të televizionit. Sipas tyre para zgjedhjeve televizioni publik shqiptar anonte shumë në krah të PS dhe pas zgjedhjeve ka kaluar pro të PD-së. Ndërkohë burime pranë KKRT konfirmojnë se RTSH nga sondazhet rezulton se i ka dhënë dyfishin e kohës për mazhorancën në krahasim me opozitën. Për anëtarët e Këshillit Drejtues kjo u gjykua si parregullësi e cila duhet të ndëshkohej me shkarkimin e drejtorit të Pëgjithshëm të Radiotelevizionit shqiptar. Dje në mbledhje janë diskutuar edhe disa deklarime të drejtorit të përgjithshëm të RTSH Artur Zheji u zgjodh në këtë post vetëm pak vjet më parë në një votim të Këshillit Drejtues të televizionit shqiptar. Ai erdhi në krye të RTVSH pas një eksperience të gjatë në mediat private shqiptare dhe të huaja
nga Altin Kreka, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 11/03/2006, ora 09:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori