Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka gati fondin për
kompensimin e të gjithë personave që u është zënë prona për interes publik, siç është edhe ndërtimi i rrugëve.
Bëhet fjalë për një fond prej 10 milionë dollarësh, i cili është fokusuar nga buxheti gjatë këtij viti dhe do të vihet në dispozicion të pronarëve që plotësojnë
dokumentacionin për të përfituar fondin e
kompensimit.
Nëndrejtori i përgjithshëm i rrugëve, Vladimir Bisha, bën të ditur për gazetën “Shekulli” se, buxheti për shpronësim për këtë vit është më i lartë se vitet e tjera dhe gjithë fondi është në pritje të dosjeve që do të vijnë për kompensim pranë kësaj drejtorie.
Sipas Bishës, problemi që haset në
kompensimin e personave që u është zënë toka nga ndërtimi i rrugëve është plotësimi i dosjeve me
dokumentacionin e nevojshëm ligjor për të përfituar
kompensimin. Bisha pohon se pronarëve që u preket toka nga ndërtimi i rrugëve u duhet një kohë e gjatë për siguruar
dokumentacionin. Personat e shpronësuar që kanë dosje të plota, sipas rregullave për kompensim, i kanë marrë paratë. Një tjetër problematikë janë çmimet e referencës mbi bazën e të cilëve kryhet kompensimi i pronës. Nëndrejtori pohon se çmimi për vlerësimin e tokës vihet në dispozicion të Drejtorisë së Rrugëve nga Agjencia e Kthimit dhe
Kompensimit të Pronave, dhe mbi bazën e këtij çmimi llogaritet edhe vlera e
kompensimit. /albeu.com/
Shtuar më 27/02/2014,
ora 12:16