Garda në Kuvend, opozita padi penale për Olldashin dhe Bejën
Albeu.com
Pesë parti firmosin padinë për nënkryetarin e Kuvendit, Fatos Bejo dhe ministrin Brendshëm, Sokol Olldashi, ndërsa pritet që ta depozitojnë atë në Prokurori ditën e hënë.Pandeli Majko për PS-në, Ndre Legisi për LSI-në, Skënder Gjinushi për PSD-në, Paskal Milo për Demokracisë Sociale dhe Neritan Ceka për Aleancën Demokratike u pajtuan për këtë padi, duke u mbështetur në qëndrimin e Gardën e Republikës në sallën e seancave plenare. Padia ka tri aspekte ligjore që saktësojnë urdhrin për lejimin e Gardës në ambientet e Kuvendit (para foltores) si shkelje e statutit; për numrin e shtuar të personelit të kësaj trupe nga 8-9 që është zakonisht dhe për komandantin e Gardës së Republikës. Të gjithë firmëtarët janë pajtuar të mos ndryshojnë qëndrim dhe të përpilojnë ligjërisht tekstin e padisë. Sipas burimeve nga takimi, është kërkuar që të mos përforcohet padia për shefin e rojeve të sigurimit të Kuvendit, por kjo t’i lihet ministrit Olldashi si përgjegjësi. “Ne menduam kështu sepse gjykojmë që Olldashi e ka marrë vetë përsipër përgjegjësinë, përderisa pohoi se Garda po kryente detyrën pa përfillur numrin e shtuar të efektivave të saj në sallën e seancave. Ne po ashtu, gjykuam se kjo bie ndesh me statusin e gardës sikurse edhe vetë numri më i madh se zakonisht, sepse ajo ka për detyrë të ndërhyjë vetëm kur ka konflikte mes deputetëve dhe jo të ruajë foltoren e tyre apo të rreshtohet para qeverisë si në rastin konkret”-tha një nga firmëtarët për “Shekullin”. Ai pohoi se në takimin e djeshëm është formuluar padi edhe për filmimin e bërë nga operatori i Gardës. “Në mënyrë të përmbledhur, dua të theksoj se patëm këtë renditje në padinë që po bëjmë për këta drejtues: Vendimi i zotit Beja ishte i kundërligjshëm, sepse Garda nuk mund të futet në sallë. Ministri pohoi rritjen e pajustifikueshme të numrit të gardistëve dhe, e treta, filmimi ishte i paligjshëm. Për këtë të fundit, padia, të cilën ne do ta depozitojmë në organin e akuzës ditën e hënë, drejtohet edhe ndaj komandantit të Gardës së Republikës”, -ritheksoi firmëtari. Ai shtoi se të gjitha palët e kishin përsëritur qëndrimin e tyre si vijimësi e vendimit të marrë që në ditën kur shpërtheu konflikti në sallën e Kuvendit.
Garda në Kuvend
Në të vërtetë, të mërkurën, pa filluar seanca e pasdites, në oborrin e Parlamentit vihej re një prani jo e zakonshme e trupave të Gardës, masë kjo e marrë nga autoritetet për shkak të rrëmujës së një dite më parë të krijuar nga opozita. Por nëse prania më e madhe e Gardës mund të justifikohej me rrëmujën që kishin shkaktuar opozitarët një ditë më parë, ajo që irritoi më shumë deputetët dhe që u kundërshtua jo vetëm nga të majtët, ishte rreshtimi i gardistëve para podiumit ku rrinë të ulur ministrat dhe fare pranë foltores së Kuvendit. Pas ndërprerjes së seancës, për shkak të një incidenti banal mes Majkos dhe njërit prej gardistëve, seanca e asaj pasditeje u ndërpre dhe kur rifilloi, punonjësit e Gardës nuk ishin më të rreshtuar aty, çka tregoi një tërheqje të urdhrit të parë. Krerët e partive të majta e quajtën këtë një pushtim të Kuvendit, duke e krahasuar me parlamentin e Kilit në vitet 70.
Shtuar më 05/03/2006, ora 17:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori