Garda në Kuvend, incident me Majkon
Albeu.com
Salla e seancave plenare është blinduar dje në mbrëmje nga një numër i konsiderueshëm oficerësh të Gardës së Republikës. Prania e shumë gardistëve, është ndjerë dje sapo kapërceje portën rrethuese të mjediseve të jashtme të Parlamentit.Një postbllok prej tre oficerësh, kontrollonin me imtësi, të gjithë ata që hynin në territorin e Kuvendit të Shqipërisë, jo vetëm për kartat e identitetit dhe dokumentet e indetifikimit, por edhe deri tek çantat e të gjitha materialet e tjera që përfaqësuesit e medias së shkruar e elektronike kishin me vete. Në fakt zakonisht në të hyrë të mjediseve të jashtme të Kuvendit qëndron një ose dy oficerë që kërkojnë verifikimin e kartave të identitetit, të pasaportave, si për gazetarët, ashtu edhe për ata që janë të ftuar të marrin pjesë në një seancë plenare. Por edhe hyrja e gazetarëve për në seancë ka qenë tepër e vështirë për shkak të kontrollit të dytë të rreptë që ka vijuar në mjediset e brendshme, ku të gjithë gazetarët kanë hyrë duke u rikontrolluar dy e nga dy. Nga ana tjetër, me vonesë janë lejuar të futen në llozhën e Parlamentit gazetarët e RTVSH-së e ATSH-së. Ndërkohë dje dy oficerë të tjerë të gardës ishin vendosur në të dyja anët e derës kryesore të sallës plenare, e cila në ndryshim nga herët e tjera, gjatë gjithë kohës qëndronte e mbyllur. Të gjithë deputetët janë detyruar dje që të kalojnë tek dera elektronike, me qëllim që të mos lejohej futja e sendeve të papërshtatshme brenda në seancën plenare ashtu siç ishte vendosur në mbledhjen e Byrosë parlamentare gjatë mesditës. Burimet nga Kuvendi, por edhe vetë deputetët pohuan se asnjërit prej deputetëve të opozitës nuk u është gjetur bori apo bilbil, sende që në seancën e kaluar u përdorën nga deputetët e majtë në shenjë proteste, duke bllokuar njëkohësisht zhvillimin normal të seancës plenare. Gjithsesi, dy prej deputetëvë të PS-së Erjon Braçe dhe Ndiçim Hysa, kanë arritur të kenë në seancë boritë zhurmuese, të cilat i kanë përdorur vetëm për pak momente, gjatë diskutimit të ndonjë prej përfaqësuesve të maxhorancës. Ndërkohë edhe në mjediset e tjera të Parlamentit është vërejtur një prani e madhe e forcave të gardës, të cilët lëviznin sa në një mjedis në tjetrin. Por ajo që ka shkaktuar irritimin dhe provokimin e mëtejshëm të opozitës, ishte vendosja e radhës së gardistëve, përballë me sallën plenare, duke krijuar një mur ndarës mes gjithë deputetëve dhe ministrave që ishin të pranishëm në seancë. Shtimi i numrit të oficerëve të gardës u konsiderua nga deputetët e opozitës si thyerje e rregullores së Parlamentit. Ata akuzuan kryetarin e seancës, Fatos Beja, se kishte lejuar praninë e gardës në një kohë kur rregullorja nuk e përcakton një gjë të tillë. Kryetari i grupit parlamentar të opozitës, Pandeli Majko, kërkoi marrjen e përgjegjësive nga ata që kishin urdhëruar shtimin e numrit të punonjëve të gardës në Parlament. Sipas kryetarit të PSD-së Skënder Gjinushi, rregullorja përcakton që garda, është e pranishme, por nuk duket në seancë. Ai shtoi se edhe nga ana estetike, nuk mund që oficerët e gardës të vendosen përballë deputetëve e me kurriz nga ministrat e qeverisë.

Byroja nuk merr vendim për ndëshkimin e deputetëve të PS

TIRANE - Byroja Parlamentare nuk ka arritur dje të marrë dot vendim për ndëshkimin e 4 deputetëve opozitarë Erjon Braçe, Bashkim Fino, Ndriçim Hysa dhe Pilo Keri. E thirrur nga nënkryetari i Kuvendit Fatos Beja, mbledhja e byrosë, ka mundur të zhvillohet dje pasi, tre përfaqësuesit e opozitës nënkryetari tjetër i Parlamentit Yli Bufi si dhe deputetet Rajmonda Stefa dhe Diana Çuli, janë paraqitur, por duke kundërshtuar masën e propozuar. Nënkryetari Beja, kishte propozuar që deputetët Hysa, Braçe, Fino dhe Keri, të penalizoheshin me përjashtim për dy javë nga punimet parlamentare, për shkak të thyerjes së etikës në seancën e ditës së hënë. Por kundër propozimit të Bejës, përveç tre deputetëve opozitarë ka votuar edhe anëtari tjetër i Byrosë Parlamentare, deputeti i PBDNJ-së Spiro Peçi duke nxjerrë në shifra të barabarta rezultatin e votimit. Ndërkaq byroja ka marrë dy vendime të tjera, i pari për të mos lejuar futjen e objekteve të papërshtatshme në mjediset e seancës plenare si dhe për të lejuar praninë e gardës në mbrojtje të ministrave. Dy vendimet e fundit janë reflektuar në zhvillimet parlamentare të seancës së pasdites. Nënkryetari i Kuvendit, Ylli Bufi, tha se nuk ishte përcaktuar se çfarë konsideroheshin objekte të papërshtatshme.

Shekulli
Shtuar më 02/03/2006, ora 14:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori