Gül: Kosova, faktor i rendesishem i paqes dhe stabilitetit ne rajon
Albeu.com
Në ditën e dytë të vizitës në Republikën e Turqisë, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, ka qëndruar në Stamboll, ku është pritur nga presidenti i Republikës së Turqisë Abdullah Gül.Kryeministri Thaçi po sot ka zhvilluar një takim edhe me investitorë turq lidhur me
investimet në Kosovë, takim ky i organizuar nga Këshilli për Marrëdhënie Ekonomike të Jashtme. Në bashkinë e Stambollit, kryeministrit Thaçi i është organizuar një pritje nga zëvendës kryebashkiaku Ergün Turan
Në takimin me presidentin Gül, kryeministri Thaçi ka falënderuar presidentin e Turqisë për përkushtimin e vazhdueshëm të shtetit turk për të mbështetur Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Në veçanti, kryeministri kosovar vlerësoi lartë kontributin e Turqisë në procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të investimeve ekonomike nga Turqia. Ai ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërshtetëror, duke e vlerësuar Republikën e Turqisë shtet mik dhe strategjik të Kosovës.
Presidenti Gül ka vlerësuar lartë rolin e shtetit të ri të Kosovës si faktor i rëndësishëm në forcimin e paqes, të stabilitetit dhe të fqinjësisë së mirë në rajon dhe ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur Kosovën në të gjitha fushat, me theks të veçantë në ekonomi, arsim, kulturë dhe në fusha të tjera.
Në takimin me investitorët turq, ndërkaq, kryeministri Thaçi ka ritheksuar përkushtimet e Qeverisë së tij për krijimin e një ambienti të favorshëm për investimet e huaja në Kosovë.
“Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të krijuar kushte dhe mundësi reale për të inkurajuar investimet e huaja në Kosovë. Roli dhe kontributi i investitorëve turq që
kanë investuar dhe janë duke investuar në Kosovë është i një rëndësie të veçantë për
zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”, ka thënë kryeministri, duke ftuar dhe mirëpritur edhe investitorë të tjerë nga Turqia.
Në takimin e fundit të zhvilluar në bashkinë e Stambollit, kryeministri i Kosovës e ka vlerësuar të rëndësishme vizitën në Turqi, duke theksuar interesimin për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me qytetin metropolitan Stambollin.
"Sipas pozitës dhe rëndësisë politike dhe ekonomike që ka, Stambolli paraqet një nga
qytetet më të rëndësishme në botë. Republika e Kosovës dëshiron të ketë marrëdhënie
të drejtpërdrejta me Stambollin", tha Thaçi, duke cekur gatishmërinë për binjakëzimin e Stambollit me komunat e Kosovës. Ai ka theksuar edhe gatishmërinë e institucioneve kosovare për të zhvilluar bashkëpunim me prodhues dhe institucione tjera të Stambollit në planin ekonomik, teknik, në arsim dhe në fusha të tjera.
Duke falënderuar kryeministrin Thaçi dhe anëtarët e delegacionit shtetëror të
Kosovës për këtë vizitë, zëvendës kryebashkiaku i Stambollit, Ergün Turan i ka njoftuar ata për projektet dhe investimet që janë në realizimin e sipër në Stamboll. Në shenjë të respektit ai i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës një libër për historinë e Stambollit dhe një plaket të këtij qyteti që sivjet është shpallur kryeqytet kulturor i Evropës.
Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Turqi, delegacioni kosovar është pritur nga kryeministri turk Recep Tayyip Erdoğan dhe anëtarë të kabinetit të tij qeveritar. Pas takimit të gjatë e të përzemërt, janë nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi midis Kosovës e Turqisë në fushën e transportit, të bujqësisë, arsimit dhe ambientit.
Gjatë ditës së djeshme delegacioni nga Kosova ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoğlu.
Në të gjitha takimet në Ankara e Stamboll, temë bosht ishte thellimi dhe forcimi i
marrëdhënieve mes dy vendeve mike, si dhe kontributi i Turqisë në procesin e rritjes së numrit të vendeve që do ta njohin shtetësinë e Kosovës. (koha)
Shtuar më 21/05/2010, ora 20:16
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori