Gafa skandaloze e Gjykatës në vendimin për Tahirin: "Harrojnë" ta shpallin të pafajshëm
Ditën e sotme Fax News dhe Faxweb.al kanë publikuar vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri marrë ditën e djeshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, ndërkohë që në leximin e imtësishëm të tij, konstatohet se është bërë një gafë e cila nuk dihet nëse ka qenë thjeshtë njerëzore apo jo. Por duhet theksuar se në çështje të tilla të një interesi të lartë publik e politik, mund të ndodhin “njëherë në 100 vjet”.

Bëhet fjalë për njërën nga akuzat e ngritura nga Prokurioria, atë “Për trafikim të lëndëve narkotike”. Në vendimin e djeshëm, Krimet e Rënda e shpallën Tahirin të pafajshëm “Për veprat penale të grupit të strukturuar kriminal…”, ndërsa “Deklarimin fajtor të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës…”. Ndërkohë, duke përllogaritur dënimin prej 3.5 vitesh shërbim prove, kuptohet se Tahiri nuk është dënuar, ose thënë ndryshe është shpallur i pafajshëm në lidhje me akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike”, akuzë dhe deklarim i cili nuk është shkruajtur në vendimin e djeshëm të Gjykatës, pavarësisht se relatori i çështjes e lexoi me zë që për këtë vepër penale shpallet i pafajshëm. Pra diçka e tillë nuk figuron e shkruar në vendimin përfundimtar.

Kujtojmë se procesi i djeshëm nuk u zhvillua vetëm për Saimir Tahirin, por edhe për ish-drejtuesin e Policisë, Jaeld Çela, akuzat për të cilin ishin të përafërta me të ish-ministrit por ndryshe nga sa për këtë të fundit, Gjykata është treguar e përpiktë.

Në të njëjtin dokument që u lexua edhe për Tahirin, Gjykata shkruan për Çelën: ”Deklarimin i pafajshëm të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të Trafikimit të narkotikëve“ në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal…” dhe “Deklarimin i pafajshëm të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal…” dhe “Deklarimin fajtor të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës...”

Në këtë vendim Gjykata ka harruar, ose më saktë, gjyqtarët nuk kanë shkruar (sepse nuk është zyrtar version “harruar”), jo vetëm të shkruajë se “i pandehuri Saimir Tahiri është shpallur i pafajshëm për krimin e trafikut të drogës”, por edhe të shpjegojë se përse është shpallur i pafajshëm në kuadër të kontekstit ligjor.

Ndërkohë, një gafë e tillë, e patolerueshme në asnjë rast, e sidomos ndaj një çështjeje me interes të lartë ku nuk ndodh shpesh që një ish-ministër të dënohet, duhet së paku të hetohet dhe mbahet përgjegjësi.


/faxnews/
Shtuar më 20/09/2019, ora 20:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori