Rama nga Dubai: Nëse do muhabet, ke burrat, po do të mbarosh punë, janë gratë!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në “World Government Summit 2023”, që po mbahet në Dubai, axhenda e të cilit fokusohet në formimin e një të ardhmeje më të mirë për njerëzimin, ku liderë, ekspertë globalë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota mblidhen për të shkëmbyer ide e përvoja dhe për të kontribuar në zhvillimin e mjeteve, politikave dhe modeleve që janë thelbësore në formimin e qeverive të ardhshme.

Kryeministri Rama ishte i ftuar i veçantë në njërin prej bashkëbisedimeve të sesionit të paradites mbi rolin e grave në qeverisjen dhe shoqërinë e shekullit XXI, për të folur për rastin e shumëvlerësuar të Shqipërisë, në këtë aspekt.

Dubai Abulhoul: Shkëlqesi, zonja dhe zotërinj! Shkëlqesia juaj, mirë se erdhët në Emiratet e Bashkuara Arabe. Është kënaqësi që t’ju kesh në Samitin Botëror të Qeverisjes dhe të ndash skenën me ju për të dytën herë në më pak se 6 muaj.

Do të fillojmë më seancën e sotme, me modelin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë me një kabinet prej 70% gra. Shkëlqesia juaj, ju keni qenë kampion i grave dhe i rolit të grave në nivelet më të larta të qeverisjes. A mund të na e përshkruani modelin tuaj dhe po kështu a mund të na thoni se sa i mundshëm është për t’u përsëritur në kontekstin e rajoneve të tjera.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Më lini t’ju them së pari, se jam shumë sinqerisht i përulur nga kjo ftesë dhe nga mundësia për të marrë pjesë në këtë varg kaq mbresëlënës evenimentesh, këtu në këtë platformë dhe për të parë gra kaq mbresëlënëse njëra pas tjetrës, dhe për të pasur mundësi për të folur për përvojën tonë.
Dua ta them shumë drejtpërdrejtë se nuk ka qenë fjala për një model, ka qenë fjala për një nevojë, për t’i realizuar gjërat, për të kryer gjërat.

Kam qenë dëshmitar me përvojën time i asaj çka Margaret Thatcher ka thënë dhe që është e vërtete se nëse dëshiron të flasësh, gjej burra dhe bëje, nëqoftëse do t’i realizosh gjërat, gjej gratë dhe bëje.

Është tjetër çështje sepse Margaret Thatcher ishte e vetmja grua në kabinetin e vet, por mund ta dëshmoj sipas përvojës sime se shanset me gratë për t’i realizuar gjërat, janë më të larta se sa me burrat. Nuk pretendoj që ky është një model për të gjithë, thjesht flas për Shqipërinë.

Dubai Abulhoul: Shkëlqesia juaj, ndërkohë që përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim, janë novatore dhe të sinqerta, cila është këshilla juaj për udhëheqësit në vende të ndryshme, organizata shumëpalëshe apo në sektorin privat. Si do t’i këshillonit që të mos ta përdorin kartën e grave si një kartë për të fituar pikë politike dhe si bën dallimin midis fuqizimit autentik të grave dhe atij më teatral?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, ka dy gjëra që mund të them lidhur me pyetjen tuaj shumë interesante, por jo edhe të lehtë. E para, është se tani për tani nuk duhet të shqetësohemi për atë çfarë ju e quani teatrale, sepse çfarëdolloj gjëje të bëhet në këtë drejtim, është diçka e mirë. Nxjerrja më shumë në pah e grave, dhënia e më shumë hapësire për to, dhënia e më shumë mundësive për të marrë pjesë dhe për të përfaqësuar është e një rëndësie thelbësore e ndonjëherë kjo duhet të ndodhë përmes mjeteve që mund të duken si të imponuara apo të detyruara nga autoriteteti i parlamentit apo autoriteti i shtetit apo autoriteti i vetë drejtuesit/sunduesit kur vjen fjala për disa vende arabe, por duhet të ndodhë. Kjo është diçka që vlen edhe që vlen edhe për kuotat. Dikush mund të argumentojë nëse kuotat janë gjëja e përsosur për t’u bërë, por në të njëjtën kohë ato janë një gjë e mirë për t’u bërë.

Pastaj vjen tek ushtrimi i mirëfilltë. E përmendët në fillim dhe e pashë të shkruar edhe në prezantim. Shifrën e grave në qeverinë tonë që praktikisht është më e ekzagjeruara në mbarë botën, është mbi 70 %, por nuk është diçka që erdhi sepse donim që të ishte kështu, erdhi në mënyrë shumë të natyrshme. Në fillim kur krijova qeverinë e parë, ishte diçka që doja ta kisha, 50 me 50%, por më pas në përpjekjet për të përzgjedhur personin e duhur për punën e duhur, unë e kuptova se më në fund kishte më shumë gra sesa burra që ishin të përshtatshme për punën që duhej bërë, ndaj erdhi në mënyrë të natyrshme.

Do të isha shumë më i hapur edhe në ato raste kur është siç e quani ju, teatrale, sepse përmes kësaj teatraleje, gjërat fillojnë dhe bëhen të natyrshme. Shikoni për shembull se çfarë ndodh ditët e sotme në Arabinë Saudite, me te gjitha diskutimet e kritikat, me të cilat mund të përballeni, ndërkohë që diskutimet zhvillohen në botën perëndimore, por zhvillimet janë vërtetë mbresëlënëse dhe sigurisht në njëfarë mënyre duhet të niste me teatralen.

Dubai Abulhoul: Çështja e të drejtave të grave dhe e fuqizimit të grave është me shumë të drejtë një çështje ndërkombëtare. Si të vendosim një ekuilibër sidoqoftë për të siguruar nga njëra anë një progres global pa shkelur apo ndërhyrë sovranitetin e çështjeve të brendshme të vendeve të tjera, konteksteve të tjera. Kur flasim për të drejtat e grave kjo është një çështje globale por po kështu shohim ndoshta edhe fushata trysnie në kontekste të ndryshme. Si e balancojmë këtë?

Kryeministri Edi Rama: Është shumë e lehtë mendoj sepse nëqoftëse nuk e vendos veten në vendin e tjetrit, rrezikon ta teprosh qoftë edhe kur shtyhesh nga vullneti i mirë, nga qëllimet e mira. Edhe një herë i kthehem rastit të Arabisë Saudite. Në distancë dhe nga mungesa e vendosjes së gjërave në perspektivë e në një kontekst mund të kesh shumë për të thënë e mund të jesh shumë kritik, por kur i vendos gjërat në kontekst dhe kur i vendos ato në perspektive ajo çfarë po ndodh është absolutisht e jashtëzakonshme. Njësia matëse e krahasimit sipas pikëpamjes time modeste duhet përherë të jetë relative sepse në të kundërt mund të biesh në arrogancën e asaj çfarë është në mënyrë tipike arroganca e botës perëndimore.

Dubai Abulhoul: Jam shumë e sigurt që shumë pjesëtarë këtu të auditorit do donin të dinin sesi reaguan burrat ndaj përpjekjeve tuaja për fuqizimin e grave në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama: Jo, ka një gjë që është pak shqetësuese që asnjëri nuk bërtet në Shqipëri për diskriminimin e burrave, për momentin, po për momentin! Megjithatë duke i lënë mënjanë shakatë kjo nuk është mjaftueshëm, është krejt larg të qenit mjaftueshëm sepse na duhet që kjo gjë të funksionojë nga lart poshtë. Shohim që ka gjithmonë e më shumë hapësirë për gratë në nivelet vendimmarrëse dhe nuk është vetëm në nivelet ministrore, por edhe zëvendës ministrat, në nivelet e drejtorëve të drejtorive e kështu me radhë, por sidoqoftë nuk është ende mjaftueshëm pasi duhet të vijojë edhe në sektorin privat, çka është shumë më e vështirë. Po kështu duhet të shkojë deri në nivelet më bazë ku ka probleme qartësisht dhe duhet të jetë kështu në shtëpi ku kemi probleme me dhunën në familje e të gjitha këto gjëra.

Kjo është njëra anë. Ana tjetër është se na duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk është diçka magjike që do të thotë nuk është në vetvete një ndryshim që do të lidhej drejtpërdrejtë apo që do të lidhte drejtpërdrejtë figurën e gruas me të gjitha virtytet. Ka të bëjë po kështu me përgjegjësitë individuale, me sjelljen individuale dhe me rezultatet individuale dhe në fund po ndoshta është shumë shpejt që të dalim në përfundime për këtë. Ka të bëjë edhe me faktin e grave, që janë gra të mira, të jenë gra të mira. Pra ka gra që ndonjëherë janë gra shumë të mira për vendin, por kur bëhen shumicë mund të mos jenë shumë të mira me njëra tjetrën, kështu që edhe kjo ndodh.

Ne ende nuk e kemi këtë problem. Megjithatë është e rëndësishme që gratë në të njëjtën kohë te mos të bëhen vetëm konsumatore të ndryshimit, por edhe promovuese të ndryshimit për të marrë më shumë vajza, më shumë gra, për t’i çuar në nivelet e sipërme dhe jo të marrim pozicione dhe të shndërrohen në ferr pastaj për njeri-tjetrin.

Dubai Abulhoul: Dua t’ju pyes shkëlqesi. Me cilat sfida është përballur qeveria juaj, sidomos në kalimin e politikës, nga shpallja e politikës deri tek zbatimi i saj?

Kryeministri Edi Rama: Përvoja ime dhe ju lutem mos e merrni sikur po përpiqem të përgjithësoj apo po përpiqem të bëj leksione. Kur kam qenë i vogël gjithmonë vuaja kur prindërit më bënin leksione dhe i thosha vetes: “premto, premto, premto që në moshën e tyre kur të jesh aty nuk do t’i bësh leksione askujt. Nuk është e lehtë por përpiqem. Jo më t’u japësh leksione vendeve apo të tjerëve, por kjo është përvoja ime. Kur flet me burrat dhe iu thotë: “duhet të bëjmë këtë gjënë”, burrat zakonisht thonë: “Po. Është gjë e shkëlqyer për t’u bërë, le ta bëjmë”. Dhe pastaj pas ca kohësh i pyet: “ku jemi me këtë gjënë”? “Ah po, unë po mendoja se ndoshta..”. “Çfarë domethënë ndoshta? Ramë dakord që do ta bëjmë”? “Po, por…”. Me gratë u thua: “duhet të bëjmë këtë gjë”. Nëqoftëse nuk bien dakord ta thonë drejtpërdrejtë. “Nuk mendoj se është ide e mirë”, por më pas nëse vendoset, atëherë është e kryer.

Më duket shumë interesante që edhe pse burrat kanë këtë namin se janë të fortë, se iu qëndrojnë bindjeve të tyre, ata janë më të prirur që t’i thonë “po” autoritetit të një burri tjetër pa e diskutuar, por në të njëjtën kohë nuk janë të mirë për të dhënë rezultate. Me gratë është ndryshe! Edhe pse kanë namin se janë më të nënshtruara, jo, ato ta thonë. Nëse e ndiejnë që kjo nuk është ide e mirë thonë: “prit pak, le ta diskutojmë”. Ose “nuk jam e sigurt që kjo është mënyra për ta bërë’, dhe më pas kur vendoset, ka rezultate. Kështu që, kur vjen fjala për pasjen e rezultateve, sërish mendoj që gratë janë më të besueshme sesa burrat. Megjithatë kjo është përvoja ime.

Dubai Abulhoul: Jam tërësisht dakord shkëlqesi.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt duhet të biesh dakord dhe më vjen mirë që dëgjoj disa zotërinj që bien dakord, por kjo është përvoja ime. Kjo është arsyeja pse them që kur vjen fjala për t’i bërë gjërat edhe midis edhe ndoshta s’duhet ta them këtë, por më duhet të jap përgjigje të sakta për ju, edhe krahasuar, pra krahasimisht ministret gra në aspektin e dhënies së rezultateve janë më të besueshme sesa kolegët ministra burra.

Dubai Abulhoul: Kjo është muzikë për veshët e mi.

Kryeministri Edi Rama: Por kjo është arsyeja pse më ftuat apo jo?

Dubai Abulhoul: Do doja që ta përmbyll diskutimin tonë me një pyetje më të nuancuar sepse e gjej veten edhe si grua dhe të luftoj për të gjetur përgjigje më konkrete dhe pyetja është sesi rrëmbehet dhe keqpërdoret kultura botërore. Shpesh fajësojmë kulturën apo traditën kur nuk zbatojmë ato ndryshime të nevojshme që lidhen me fuqizimin e grave. Çfarë mendoni për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Kultura dhe tradita e historia kanë rëndësi, por më shumë sesa e gjithë kjo kanë rëndësi institucionet. Një miku im dikur më tha diçka që nuk do ta harroj asnjëherë. Suksesi ka dy rrugë, ose janë institucionet që krijojnë sukses ose është suksesi që krijon institucionet. Kështu që, kur të duhet të nxitësh ndryshimin që ndonjëherë shkon në një drejtim tjetër nga ai që quhet kulturor apo i traditës, duhet t’i besosh suksesit që të ndërtojë institucionet dhe kjo është ajo për të cilën po flisnim më parë, për atë çfarë ju e quajtët teatrale dhe që praktikisht është një shtysë që në njëfarë mënyre e detyron kulturën, e detyron traditën të pranojë një risi. Përmes kësaj, pastaj nis të punosh dhe të jesh më i bindur që diçka institucionale do të lindë prej saj.

Kështu që, të shkosh nga një vullnet i mirë, a vullnet i fortë apo dhe vullnet detyrues nga lart që më pas bëhet pjesë e kulturës, është një proces, por duhet të kalojë një farë soji duke treguar shembujt e suksesit, duke sjellë shembuj të tjerë e të tjerë derisa të kesh diçka që bëhet pjesë e kulturës, sepse, shikoni, Shqipëria është një vend që është përballur me kohëra mjaft të ashpra në histori. Është një vend që është mysliman dhe i krishterë, por me një sfond mjaft të fortë patriarkal dhe një sjellje tejet diskriminuese ndaj grave në histori. Në kushtetutën tonë të parë, në kodin e shqiptarëve gratë nuk ekzistonin si individë me të drejtat e tyre dhe pastaj patëm periudhën dramatike të regjimit komunist që u përpoq të bënte shumë për të ashtuquajturin emancipim të grave, por në një farë mënyre, jo vetëm detyruan, por u përpoqën që t’i nxirrnin gratë në pah, jo si të barabarta me burrat, po si të ishin burra, çka nuk është aspak gjë e mirë. Në qoftë se do të shihnit artin e regjimit komunist apo filmat e regjimit komunist, gratë janë gjithmonë figura të forta fizikisht, që nuk është ajo për të cilën kemi nevojë dhe më pas na u desh të hynim në fazën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë që vuri shumë gjëra në pikëpyetje dhe ndodhën në thelb dy gjëra me ardhjen e demokracisë.

E para, ishte inflacioni tërësor i të ashtuquajturave konkurseve të Miss-eve, “Miss Shqipëria”, “Miss Tirana”, “Miss kopshti”, “Miss kjo, Miss ajo”, pra që kërkonin dhe që prireshin të ekspozonin grupin e grave. Nga ana tjetër kishim një kthim pas në të shkuarën kur vinte fjala për të drejtat e grave dhe të vajzave në shtëpi. Pra, nga regjimi komunist ku ishte e paimagjinueshme që gratë të mbaheshin në shtëpi, erdhëm te liria që në emër të traditës dhe kulturës na ktheu kaq shumë pas në kohët e vjetra, në ato të errëta. Për një kohë të gjatë kemi jetuar midis këtyre dy ekstremeve. Tashmë gjërat po ekuilibrohen më tepër dhe mendoj se politika duhet të udhëheqë me anë të shembullit. Na duhet që të nxisim sa më shumë të mundemi për këtë barazi sepse gjithashtu kjo ka të bëjë me të pasurit të një shoqërie ekonomikisht edhe nga pikëpamja sociale më të ekuilibruar.

Edhe diçka tjetër që dua të them. Mora në dorë një libër shumë interesant ditët e fundit botuar nga një autor italian dhe nuk e kisha menduar asnjëherë në këtë lloj drite. Ishte libër për ekonominë. Marrëdhënia midis burrit dhe gruas dhe ndikimi në ekonomi. Autorja është grua, sigurisht. Ajo kujtonte një gjë mjaft të thjeshtë. Sa është përqindja e krimeve të kryera nga burrat dhe sa përqind nga gratë. Sa aksidente me makinë bëhen nga burrat dhe sa nga gratë. Sa shkaktohet dhuna në familje nga burrat dhe sa nga gratë, dhe duke qenë në Itali, ajo po kështu shtronte pyetjen se sa pjesë e komunitetit të mafias janë burra dhe sa gra. E përfundimi ishte se Italia për shkak të sjelljes së burrave, humbiste më shumë se 5% të PBB së vet. Kështu që, edhe sa u takon parave, burrat janë shumë të shtrenjtë


Shtuar 14.02.2023 21:35

Tags: