Fushatë me plot salltanete
Albeu.com
Partitë politike zotohen se do të jenë të hapura në financimin e fushatave zgjedhore. Sipas përfaqësuesve të tyre, financimi do të mbështetet në anëtarësinë, në buxhetin që ndanë shteti për partitë politike dhe në donacionet e personave fizikë e juridikë.Sipas dispozitave ligjore, partitë gjatë fushatës mund të shpenzojnë deri më 1.6 milion euro.

Partitë politike në Maqedoni, në mënyrë pothuajse të “orkestruar”, zotohen se do të jenë transparentë në financimin e fushatave të tyre partiake, gjatë zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 5 korrik të këtij viti. Subjektet më të mëdha politike zotohen se do t’i respektojnë dispozitat e Kodit zgjedhor, me qëllim që zgjedhjet të jenë korrekte dhe demokratike.
Sipas tyre, donacionet nga personat fizikë e juridikë dhe anëtarësia partiake, do të jenë burimet kryesore me anë të të cilave do të mbulohet materialisht fushata zgjedhore. Kodi zgjedhor parasheh që partitë për financimin e fushatës zgjedhore, nga personi juridik mund të marrin mjete në lartësi prej 20 mijë eurosh dhe 5 mijë euro nga personi fizik.
Partitë për mjetet që do t’i marrin për financimin e fushatës, konform dispozitave të Kodit, janë të obliguar të paraqesin raport financiar, i cili publikisht do të shpallet nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), kurse do të shqyrtohet edhe nga Enti për revizion. Ish-zëvendësministri i Drejtësisë Subhi Jakupi tani nënkryetar i KSHZ-së, ka shpjeguar se nëse gjatë shqyrtimit do të konstatohen parregullsi, do të pasojnë sanksione ligjore.
Në Komisionin Shtetëror për Antikorrupsion (KSHA) thonë se çështja e financimit të fushatës në Kodin zgjedhor, nuk është precizuar sa duhet, gjë e cila, sipas tyre “do të mund të jetë burim kryesor për korrupsion”. Kreu i KSHA-së Mihajllo Manevski, tha se në Kodin zgjedhor bëhet fjalë vetëm për mënyrën se si nuk guxon të financohet fushata.
“Në Kodin zgjedhor nuk është trajtuar çështja e burimeve për financimin e fushatës”, thotë Manevski.
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rafiz Haliti, vlerëson se Kodi i ri zgjedhor do të mundësojë financim transparent të fushatës zgjedhore. Ai thotë se partitë politike përveç anëtarësisë, si burim për mbulimin financiar të fushatës mund të kenë edhe biznesmenë të ndryshëm.
Mendim të njëjtë kanë edhe përfaqësuesit e koalicionit qeverisës Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM).
Zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Imer Aliu, tha se financimi i fushatës së kësaj partie do të bëhet nëpërmjet anëtarësisë. “Pagesa e anëtarësisë derdhet në xhirollogarinë e partisë dhe këto mjete do të shfrytëzohen për fushatë”, thotë ai. Sipas tij, PDSH-ja gjatë fushatës do të shfrytëzojë edhe mjetet që ndahen nga buxheti i shtetit për partitë politike që veprojnë në Maqedoni.
Zëdhënësi i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Safet Neziri, thotë se fushata e kësaj partie do të financohet nga mjetet e pakta që tashmë i ka në arkën e vet, por edhe nga donatorët, të cilët do t’i ndihmojnë si parti politike. Sipas tij, gjithë financimi do të bëhet në suaza të asaj që është paraparë me ligj, që është legjitime.
Nënkryetarja e VMRO-PMNE-së, Silvana Boneva, vlerëson se Kodi i ri zgjedhor mundëson shpenzimin e mjeteve të më mëdha financiare për fushatën zgjedhore, në krahasim me rregullativën e mëhershme zgjedhore.
Përfaqësuesit e partive përkujtojnë se më parë, konform dispozitave ligjore për financimin e fushatës, kanë mundur të shpenzojnë deri më 420 mijë euro, kurse sipas dispozitave të tanishme ligjore, për këtë qëllim do të mund të shpenzojnë deri më 1.6 milion euro.
BARDHYL ZAIMI, Lajm
Shtuar më 22/04/2006, ora 17:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori