Fushata elektorale, të rinjtë, dhe e ardhmja e tyre
Maturantë, studentë të rinj me dhe pa shkollë murmurisin kafeneve dhe objekt i bisedave të zakonshme është fushata dhe angazhimi në fushatën parazgjedhore.

Motivi dhe arsyet: “Mundësi punësimi,” “më pëlqen”, “dua të bëhem lider dhe udhëheqës”, “dua të drejtoj njerëzit dhe vendin”, “dua të kontribuoj me sa të kem mundësi për të prosperuar, zhvilluar dhe modernizuar vendin me qëllim integrimin në Europë etj”.“Me kanë premtuar një bursë”, “një i njohuri im më premtoi që do më punësojë vëllain në një ministri pavarësisht se e ka marrë diplomën me lekë pasi nuk rrihet edhe pa punë se shpenzimet janë të larta po ashtu dhe jetesa.” Mësuesja dhe pedagogja me orientoi të futem në një forum se më ndihmon të kultivoj iniciativën, këmbënguljen, guximin dhe kurajon por në këtë menyrë forcoj edhe vetëbesimin”. Shprehi si keto nga ana e të rinjve të marra si argument për perfshirjen në politike kthehen në shqetësuese pasi e ardhmja e një vendi e sheh veten dhe shpresën për promovim vetëm në politikë apo si pjesë e saj. Motivet dhe qëndrimet e të rinjve shpeshherë janë të sinqerta, të arsyeshme dhe idealizma të drejta për tu përgëzuar por kjo çiltërsi dhe pastërti duket paksa e ekzagjeruar dhe utopike për pisllëkun e terrenit politik. Politika shihet si rruga më e shkurtër për tu pasuruar shpejt prandaj të rinjtë duan të përfshihen totalisht në forume rinore të njërës apo tjetrës parti. Kjo qasje deri e frikshme e strukturës dhe formimit psikologjik të tyre për të qenë të paret pa meritë dhe përveçse nxit një individualizëm të dëmshëm për konkurueshmerinë e ndershme në treg, kërkojnë dhe dëshirojnë pareshtur të drejtojnë nëpërmjet “represivitetit” dhe “shtypjes”, nga pozita dhe fuqie pushteti politik dhe jo të kenë apo konsolidohen në një profesion dhe të rriten profesionalisht nëpërmjet tij. Kjo përpjekje kryekëput egoizmi të semurë me doza të forta narcistike, e analizuar si pjese e një mjedisi psikologjik është shqetësuese pasi po nxit dhe ushqen duke rritur, një kontigjent të rinjsh të cilët me moskokëçarje dhe indiferentizëm po lënë mënjanë investimin profesional duke zëvendësuar rëndësinë e të mësuarit përgjatë të gjithë jetës me kacavjerrjen, ngjitjen apo kapjen në degët e politikës si shimpaze. Të rinjtë shpesh bien lehtë në gropat thithëse të politikës të cilat pasi i thithin dhe i shfrytëzojnë, i flakin në rrugë, pa formim, pa profesion dhe me përceptimin apo pritshmëritë artificiale se çdo gjë arrihet lehtësisht kur ndërkohë realisht është e kundërta. Ata përfshihen në struktura partie me ideale të fryra dhe iluzione, se kontributi i tyre do të shpërblehet maksimalisht dhe ndihma e tyre do të jetë një ndihme e madhe për vendin, cilësuar si e ardhmja por në fakt fatkeqësisht përveçse neglizhojnë deri në braktisje shkollën dhe thurin ëndrra të mëdha, pjesa tjetër realiteti atë që ata e shohin me optimizëm dhe pozitivitet, në fakt është një gënjeshtër e bukur të cilën e përjetojnë si të vërtetë deri sa përballen në një duel, ku fitues gjithmonë del idhtësia e realitetit si konkluzion i dështimit që pësojnë kur kërkojnë një punë apo edhe për tu konsoliduar dhe promovuar profesionalisht. Ata shpesh shfrytëzohen nga politika si militante dhe simpatizantë, i merret energjia dhe entuziazmi, përdoren thjesht si numër për të mbushur sallat dhe mitingjet, trajtohen si turmë amorfe me tru shpëlare që nxiten nga një bindje aq e thellë dhe thuajse për së jashtmi qesharake, sa dita-ditës po i dëmton duke i lënë të mjaftohen dhe kënaqen me idetë e bindjet e tyre. Këto bindje, të shoqëruara nga angazhimi politik dhe të ndërthurura nga një paaftësi filtruese dhe logjike, ata janë përgjithësisht të papërgatitur për tu vetëanalizuar dhe distancuar nga mashtrimi apo shpërdorimi që gatuhet në zyrat e partive politike. Ata jo rrallëherë po kthehen në marioneta fushatash, kllounë shfaqesh me “xhaxha politikanë” që interesohen gjoja për të ardhmen e tyre por kur dihet tashmë botërisht që primar kanë xhepat e vet. Në këtë tablo, ku të rinjtë i futen politikës për tu punësuar dhe nuk shohin prespektivën apo vizionin e tyre për të ecur përpara me shkollimin apo profilin e tyre, përmirësimi i fushëpamjes së tyre dhe kthjelltësia e mjaftueshme për të mos u kthyer në pengje, viktima dhe tabela qitje të partive politike, do të duhet të kthehen në prioritete të panegociueshme dhe të rëndësishme, për këndvështrimin dhe qasjen e tyre, bazuar në meritokraci dhe promovim me anë të saj. Pse të rinjtë i janë bashkuar forumeve dhe partive? Përgjigjja është se i besojnë atyre. Ata i besojnë premtimeve dhe fuqisë apo mbështetjes edhe ekonomike që kanë dhe mendojnë se do të bëhen të suksesshëm dhe të pasur. Ata mendojnë që politika i ka frerët e çdo gjëje dhe ajo vendos për çdo gjë por nuk e dinë që premtimet që bëhen nuk mbahen nëse nuk i vendos vetes detyra. Përderisa politika dhe politikanët dhe jo profesioni dhe profesionistët, janë kthyer në stil, modë dhe modele suksesi në syrin e të rinjve, për të cilët kanë më shumë vlerë, influencë, preferencë, promovim, mikpritje, rëndësi, pushtet, luks, para, komoditet dhe biznese të ligjshme dhe të paligjshme, atëherë fatkeqësisht është e pritshme që vemendja dhe përditshmëria e tyre të bazohet negativisht mbi to, duke lëkundur kështu fort themelet e së ardhmes së të rinjve dhe shndrritjes së saj në Shqipëri.
Shtuar më 15/04/2017, ora 13:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori