Fushata, 240 milionë për partitë
Albeu.com
PS përfiton 11.395.683 lekë, PD 5.870.504 lekë, LSI 1.553.957 lekë dhe PDR 873.309 lekë. Partive debitore si PBL dhe PLL do t’u zbriten borxhet që kanë pasur ndaj KQZ. Rroqi dhe Begeja marrin para si të pavarurKomisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje vendimin për shpërndarjen e 40 % të fondit të akorduar nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës elektorale të subjekteve politike që kanë qenë të përfaqësuara në Kuvend gjatë legjislaturës 2001-2004. Llogaritja e parave që do të përfitojnë partitë parlamentare është bërë me një formulë teknike të miratuar nga KQZ, bazuar tek numri i deputetëve që i kanë përfaqësuar këto subjekte në Kuvend gjatë legjislaturës që u mbyll. Në listën e partive që do të përfitojnë nga ky fond figurojnë 17 subjekte parlamentare, një pjesë e të cilave të krijuara si pasojë e ndarjeve që pësuan partitë mëma. Vetëm dy deputetët Shpëtim Rroqi dhe Maksim Begeja janë të vetmit që kanë përfituar para nga ky fond, si deputetë pa parti, duke u bazuar në shkresën që Kuvendi i ka përcjellë KQZ-së mbi përfaqësimin e partive në përfundim të këtij sesioni, ku ata rezultojnë si të pavarur. Ndërkohë shumën kryesore të fondit prej 24 milionë lekë të reja e ka përfituar PS, dhe konkretisht shuma është llogaritur mbi bazën e numrit të 66 deputetëve që ky subjekt politik kishte në parlamentin e shpërndarë. Kështu PS ka përfituar 11.395.683 lekë, shumë kjo që ka ardhur si rezultat i përfaqësimit të këtij subjekti me 66 deputetë në parlament. Ndërsa PD do të marrë 5.870.504 lekë, në bazë të numrit të 34 deputetëve që kishte në parlament, më pas vjen LSI e cila do të marrë nga ky fond shumën prej 1.553.957 lekë, në bazë të 9 deputetëve që e përfaqësuan atë gjatë dy sesioneve të shkuara. Reformatorët janë të katërtit në listë dhe do të përfitojnë për 5 vende që kishin në Kuvend 873.309 lekë, ndërsa PSD, PAA, PR dhe PLL do të përfitojnë nga 517.986 milionë lekë, pasi kanë pasur vetëm nga 3 depuetetë dhe PBDNJ, PDRN, PBL marrin vetëm nga 345.324 lekë, si pasojë e përfaqësimit të tyre në legjislativ me nga 2 deputetë. Lista mbyllet me subjektet PKS, DS, PAD, PLDLNJ dhe PDK që përfitojnë përkatësisht nga 172.662 lekë si dhe deputetët Rroqi dhe Begeja që përfitojnë po këtë shumë, por si të pavarur.
Partitë me borxhe
Ndërkohë nga shumat e mësipërme, partive që janë debitore, pra që kanë borxhe të pashlyera ndaj KQZ-së gjatë proceseve të shkuara, kur nuk kanë kaluar pragun elektoral do t’ju mbahet pjesa e borxhit. Në listë nga këto parti është PLL-ja dhe PBL-ja, të cilat nga shuma e llogaritur dje mund të mos marrin asnjë lek. Ky është vendimi i dytë që KQZ merr për shpërndarjen e parave të akorduara nga buxhetit i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore të partitë politike që marrëin pjesë në zgjedhje. Në vendimin e parë është shpërndarë 50 % e shumës totale prej 60 milionë lekësh që akordoi qeveria, pra 30 milionë lekë, për partitë parlamentare që kanë kaluar pragun elektoral prej 2.5 %. Ndërsa ka mbetur e pandarë vetëm 10 % e shumës, pra vetëm 6 milionë lekë, shumë që do t’u shpërndahet të gjitha subjekteve politike që janë regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 3 korrikut. Por kjo shumë do të shpërndahet pasi të zgjidhen në gjykatë ankesat e partive që u përjashtuan nga pjesëmarrja në zgjedhje për shkak të falsifikimit të firmave të mbështetësve.


Lekët që marrin partitë në bazë të përfaqësimit në Kuvend:


PS 11.395.683 lekë
PD 5.870.504 lekë
LSI 1.553.957 lekë
PDR 873.309 lekë
PSD 517.986 lekë
PAA 517.986 lekë
PR 517.986 lekë
PLL 517.986 lekë
PBDNJ 345.324 lekë
PDRN 345.324 lekë
PBL 345.324 lekë
PKS 172.662 lekë
PDS 172.662 lekë
PAD 172.662 lekë
PLDLNJ 172.662 lekë
PDK 172.662 lekë
Shpëtim Rroqi 172.662 lekë si i pavarur
Maksim Begeja 172.662 si i pavarur.

A.Rama, Gazeta Shekulli
Shtuar më 11/06/2005, ora 19:49
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori