Fullani refuzon të japë informacione për vjedhjen në BSH
Pëlqej
Të hënën e javës që shkoi Komisioni i Ekonomisë i ka kërkuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të informojë këtë komision në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve por dhe për nepotizmin dhe rritjen e shpenzimeve të përgjithshme të Bankës, por Fullani ka refuzuar të dorëzojë këtë informacion.


“Informacioni është pjesë e një dosje të plotë që po përgatitet për çdo deputet para se të nisin seancat dëgjimore publike me anëtarët e Këshillit Mbikqyrës dhe Guvernatorin vetë në Komisionin e Ekonomisë.
Komisioni i Ekonomisë në Kuvend e ka detyrë kushtetuese mbikqyrjen e Bankës së Shqipërisë dhe do ta bëjë këtë detyrë pavarësisht pengesave institucionale të Guvernatorit. Po kërkojmë atë që Këshilli e Guvernatori nuk duan ta marrin përsipër për një mori shkeljesh serioze në funksionimin e Bankës së Shqipërisë: Përgjegjësi administrative. Është e qartë kjo, për Guvernatorin dhe Këshillin Mbikqyrës, inspektorin. Vjedhja në Bankë nuk mbyllet pse do Guvernatori apo Këshilli i tij. Vjedhja si çështje do të mbyllet bashkë me përgjegjësit dhe ndryshimet ligjore që çlirojnë Bankën nga politika, interesat, korrupsioni, nepotizmi, duke e rikthyer të fortë e të pavarur, transparente, të kontrollueshme e funksionale.” shkruan kreu i këtij komisioni Erion Braçe në Facebook.
Shtuar më 23/08/2014, ora 13:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori