Fullani nuk heq dorë: Dua 50 milionë lekë dëmshpërblim
Ish-guvernatori i shkarkuar pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e BSH-së, Ardian Fullani ka kundërshtuar në Apelin Administrativ vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës ndaj tij. Bëhet fjalë për vendimin e datës 2 qershor 2016, për padinë e Fullanit kundër Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës.

Nga kërkimet e Fullanit për pavlefshmëri të vendimit të shkarkimit të tij, rikthimin në detyrë dhe dëmshpërblim financiar e moral në shumën 50 milionë lekë në total, Shkalla e Parë pranoi pjesërisht padinë, duke dëmshpërblyer Fullanin me 12 paga mujore, vetëm për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga BSH.

Përmes një ankimi prej 47 faqesh në total, i depozituar në Apel, ish-guvernatori pretendon se vendimi i Shkallës së Parë është marrë pjesërisht në zbatim të gabuar të ligjit dhe si i tillë, duhet të ndryshohet, duke i pranuar plotësisht padinë. Përveç deklarimit të pavlefshëm të vendimit për shkarkimin e tij dhe dëmshpërblimin, Fullani kërkon rikthim në detyrën e Guvernatorit dhe anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së.

Në 47 faqe ankim, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, avokatët e Fullanit, Maksim Haxhia e Erinda Ballanca, kanë renditur të gjitha argumentet ligjore pse vendimi i Shkalës së Parë duhet të ndryshohet. "Shkarkimi nga detyra i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i iniciuar nga Këshilli Mbikëqyrës si hallka e parë e procedurës dhe më pas i propozuar në Kuvend nga Komisioni i Ekonomisë dhe i votuar në Kuvend, shkelje flagrante të ligjit material dhe procedural", thuhej në ankim.

Duke përmendur vjedhjen në BSH, avokatët pretendojnë se “as në momentin e shkarkimit, por as edhe sot, pasi kanë marrë formë të prerë vendimet penale në lidhje me këtë çështje, nuk ka rezultuar asnjë formë bashkëpunimi midis paditësit dhe personave, të cilët janë implikuar në këtë vepër penale.

Gjykata, gjatë gjykimit të padisë në Shkallën e Parë, administroi si provë një raport psikologjik, sipas të cilit ishguvernatori kishte pësuar dëm maksimal psikologjik, që ishte manifestuar me gjumë të shqetësuar, me ëndrra e ankth tek ish-guvernatori, me mungesë të theksuar të oreksit dhe me ulje në vetëvlerësimin e tij. Në ankim pretendohej se Fullani do ripërjetonte dëmin moral, nëse do të punonte në një nivel më të ulët të nivelit bankar.

"Është e kuptueshme që pala paditëse, Adrian Fullani, deri në deklarimin e pavlefshmërisë së akteve, sipas objektit të padisë, nuk do dhe nuk do mund të kryejë asnjë funksion tjetër publik apo privat, edhe për faktin se me siguri ai do të ripërjetojë të njëjtin dëm jopasuror, duke punuar në një nivel tjetër më të ulët të sistemit bankar apo atij financiar, me kredibilitet dhe personalitet të dëmtuar dhe të parivendosur në vend, premisa këto që do të ndikojnë në ushtrimin në mënyrë jo të qetë të çdo funksioni apo posti", thuhej ndër të tjera në ankim. /albeu.com/
Shtuar më 26/06/2016, ora 12:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori