Fule në Tiranë, Bregu: Do jemi në takim
Pëlqej
Komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule do të vizitojë ditën e hënë, Tiranën. Vizita e tij bëhet në kuadër të pjesëmarrjes në raundin e katërt të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.

Sot Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu ka bërë të ditur se bashkë me kolegët e saj demokrat, do të marrë pjesë në takimin e nesërm në Dialogun e Nivelit të Lartë me BE.

Në një prononcim për mediat, është shprehur se gjatë këtij takimi do të bëhen prezente problematikat dhe arsyet e qëndrimit jashtë parlamentit të opozitës.

"Nesër do jemi në dialogun e nivelit të lartë Shqipëri-BE. Do jem sëbasku me kolegët Eduard Halimi dhe Arben Ristani", tha Bregu.

Dialogu i Nivelit të Lartë me BE zhvillohet për të parë ecurinë e 5 prioriteteve që i janë lënë Shqipërisë për integrimin, ku sipas Bregut reforma në Drejtësi do të jetë edhe pika kyçe për hapjen e negociatave.

Ajo ka kërkuar që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa ka përmendur se gjatë diskutimit të nesërm nuk do të lihet çështja e të drejtave të njeriut.

E pyetur nëse do tëjetë cështje e bisedimit dhe fakti se opozita vijon të bojkotojë punimet e Parlamentit dhe nëse Fule kërkon që e djathta të rikthehet në Kuvend, Bregu tha:
"Edhe për ne Parlamenti është vendi ku duhet të zhvillohet debati politik. Por pushteti ka dalë mbi shtetin. Është koha që të dëgjohen të gjitha palët". /albeu.com/
Shtuar më 28/09/2014, ora 14:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori