Fuere: Marreveshja e Ohrit ende nuk eshte zbatuar
Albeu.com
Tetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një pjesë e madhe e këtij dokumenti, nuk është zbatuar. Duhet bërë akoma shumë, thotë ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere.E njëjta gjë, ishte konstatuar edhe në takimin që Ervan Fuere pari disa ditë më parë me Oli Rehnin dhe Havier Solanën në Bruksel.

“Ende ka çështje të cilat kanë mbetur t’a pazgjidhura nga konflikti i 2001. Duhet bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike, përfaqësimin adekuat, si dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Ekziston ‘Ligj për gjuhët’ por për zbatimin e saj duhet ende shumë punë. Shpresoj se nëse do të ketë më shumë përpjekje për zgjidhjen e çështjeve të hapura, nuk do të realizohen kërcënimet e PDSH-së. Gjithashtu, duhet të zgjidhen edhe problemet në procesin arsimor”, deklaroi Ervan Fuere, ambasador i BE-së në Maqedoni.

Për Fueren, paralajmërimet për braktisjen e Parlamentit tregojnë se punët në Maqedoni nuk ecin në drejtimin e duhur.

“PDSH është një parti e etabluar. Andaj, nuk është mirë që PDSH-ja ta braktisë Parlamentin. PDSH, është parti e zgjedhur si gjithë partitë e tjera, që të jetë brenda në Parlament e jo jashtë tij. Besoj se problemet dhe shqetësimet e PDSH-së, më mirë do të zgjidhen dhe realizohen në Parlament se sa jashtë tij. Shpresoj se anëtarët e PDSH-së nuk do t’a realizojnë këtë kërcënim”, shtoi Fuere.

Fuere vlerëson se nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta mes Shkupit dhe Sofjes, mund të kapërcehet edhe kontesti i fundit i hapur para disa ditësh. Ai, nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse bëhet fjalë për propagandë të autoriteteve bullgare kundër Maqedonisë, pasi, si Sofja edhe Athina nuk e kanë kundërshtuar vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Maqedonisë. (alsat-m)
Shtuar më 10/08/2009, ora 00:09
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori