Fshihej nën identitetin e vëllait, pse kërkohej nga policia badigardi i vrarë i Vis Martinajt
Fabiol Gaxha, 28-vjeçari që mbeti i vrarë mbrëmjen e së enjtes gjatë përplasjes me armë në një lokal në zonën e ish-Bllokut, ishte person i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës.

Për t’u shpëtuar kontrolleve të Policisë, ai përdorte kartën e identitetit të të vëllait, Rigers Gaxha, dy vjet më i vogël, me të cilin kishte ngjashmëri.

Kjo solli edhe ngatërresën mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, pasi Policia gjeti kartën e identitetit me emrin e Rigers Gaxhës, por më pas çështja u sqarua.

Viktima në fakt ishte Fabiol Gaxha, i cili mësohet se ishte truproja i Ervis Martinajt, që po ashtu mbeti i plagosur mbrëmjen e së enjtes, shkruan Panorama.

Sipas deklaratave të shpërndara nga Policia e Tiranës, rreth dy muaj më parë Gaxha rezulton të ketë qenë person i shpallur në kërkim, me akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë që prej datës 27 gusht të këtij viti.

Policia njoftonte zyrtarisht se 28-vjeçari ishte i dyshuar për plagosjen e Andi Spahiut, i cili po ashtu u arrestua, pasi në banesë iu gjetën disa doza heroinë.

Më 29 gusht të këtij viti, Policia e Tiranës tha se kishte identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së 30-vjeçarit Andi Spahiu, në shtëpinë e tij në Allias. Ndërsa tha se kishte arrestuar të dëmtuarin, i cili ndodhej duke marrë mjekim në Spitalin e Traumës, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën disa doza heroinë. Ndonëse vetë i plagosuri nuk ka pranuar të japë shpjegime për oficerët e Policisë Gjyqësore, burimet thanë se ka dyshime që ai është qëlluar nga i shpalluri në kërkim, 28-vjeçari me iniciale F.G., emri i të cilit u bë publik vetëm dje, pasi u vra në zonën e ish-Bllokut. Pra, bëhet fjalë për Fabiol Gaxhën.

Policia tha në atë kohë se plagosja dyshohej se kishte ndodhur për çështje të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Ngjarja kishte ndodhur më datë 27 gusht, rreth orës 02:00, në rrugën “Tahsim Shehu”, në zonën e Alliasit, në Tiranë. Ndërsa Policia ishte lajmëruar vetëm pasi i plagosuri ishte paraqitur në Spitalin e Traumës.

I plagosuri Andi Spahiu, sipas Policisë jetonte vetëm në shtëpi, ndërsa të afërmit e tij ishin jashtë vendit.

Burimet deklaronin se ai ishte qëlluar 4 herë me armë zjarri, në këmbë dhe në shpinë, ndërsa ndodhej jashtë rrezikut për jetën. Policia ishte lajmëruar për ngjarjen nga fqinjët e familjes Spahiu, të cilët telefonuan pasi kanë dëgjuar të shtënat.
Shtuar më 06/10/2018, ora 10:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori