Frrok Bardhi, infermieri rebel: Ilir Beqaj më njeh mirë, i kam mjekuar babain e nënën
Jemi mësuar të shohim qytetarë që denoncojnë fenomene apo problematika, por jo personel mjekësor që del para kameras dhe tregon kushtet e vështira të punës. Frrok Bardhi e bëri këtë mbrëmjen e së mërkurës në emisionin investigativ “Stop” në tv Klan. Ai tregoi kushtet mizerabël të urgjencës mjekësore të Tiranës ku shërben për 15 vite.

Pamjet e një autoambulancë të rrënuar pa asnjë lloj pajisje dhe një biruce pranë poliklinikës nr.9 për qëndrimin e mjekëve dhe infermierëve, thyen rrjetin. Qindra vetë e quajtën Frrokun “heroi im”.

Por çfarë e shtyu infermierin e urgjencës së Tiranë ti drejtohet ministrin Beqaj me emër, duke e akuzuar se mashtron për shërbimin e urgjencës? Në një intervistë për Opinion.al, Frrok Bardhi tha se i ishte sosur durimi.

“Më 7 Shkurt shkoj në punë si zakonisht dhe më thanë do të shkosh tek ambulanca nr. 9 se aty të është caktuar shërbimi për sot. U nisëm bashkë me mjekun dhe shoferin e ambulancës. Kolegët e poliklinikës nuk guxonin të na shihnin në sy. Por kur hapëm derën dhe pamë se çfarë ishte dhoma (biruca) që na kishin caktuar, kuptova mirë shikimin e tyre. Ishte një tualet që muajin e fundit ishte përshtatur në dhomë, për qëndrimin e tonë gjatë punës…”

Teksa tregon, Frrok Bardhin herë pas here e mbulojnë djersët. “Nuk po më zinte vendi vend. Për fat të keq atë ditë nuk kishim as telefonata. Qëndronim në atë birucë…që ju tani e keni parë në ekran. Si ju duket: A mund të qëndrojë aty për 12 orë një mjek, një infermier dhe një shofer ambulance?”- drejtohet ai me një pyetje që të lë pa përgjigje.

“Ja pra nuk durova dot më. Dëgjova edhe ministrin në Komisionin e Shëndetësisë që fliste për suksese…”

Më tej, infermieri që ka shërbyer për shumë vite në urgjencën e Tiranës thotë se “asnjëherë kushtet e punës nuk kanë qenë të mira, por ama tani ka 1 vit që me ne bëjnë ping pong dhe nuk dimë ku jemi. Para një viti u fol se do shkrihej urgjenca. Tani rrogën e marr si pjesë e strukturës së Spitalit të Traumës. Në mëngjes shkoj tek urgjenca e Tiranës, gjatë ditës përfundoj në poliklinikë. Ky është sistemi i ri i urgjencave kombëtare që ka bërë Beqaj”, tregon më tej infermieri me disa vite eksperience .

Çfarë reagimesh ka patur pas denoncimit. A jeni kërcënuar për të lënë punën?

Po, tre persona të panjohur më kanë marrë në telefon dhe më kanë thënë duam të takojmë. Nuk kam frikë asnjeri, përderisa unë nuk i kam rënë askujt në qafë. Gjithashtu dy-tre portale janë munduar më të denigrojnë, dhe e di kush është pas tyre.

Ndërsa nga ministria apo nga urgjenca kombëtare nuk më ka kontaktuar askush.

Unë kam qenë në punë turn i tretë kur u transmetua emisioni ‘Stop’. Kolegët e punës më kanë përshëndetur, edhe pse duhet thënë se janë frikacakë dhe si bashkëngjiten dot kauzës sime për të denoncuar degradimin.

Kam patur telefona, mesazhe, ftesa në Facebook nga shumë njerëz. Ky lloj solidariteti më bën të mendoj se kam bërë mirë që nuk kam heshtur. Por unë dua që edhe kolegët të protestojnë për kushtet e punës. Të mos marrin rrugët e Gjermanisë në heshtje, pa treguar asgjë për shëndetësinë publike të cilës i kemi kushtuar jetën…”.

A ju ka shtyrë njeri në aktin tuaj, pra a ka indicie politike?

Unë nuk aderoj në asnjë parti dhe s’më ka shtyrë askush, as individ dhe as subjekt politik. Kam qenë dikur (5 vite më parë) pjesë e PDIU, por kam hequr dorë. Tani i vetmi angazhim jashtë pune është ‘Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar’, një lëvizje jopolitike, që ka për qëllim sensibilizim për çështjet kombëtare. Im bir mban emrin “Autochthonous” në nder të veprimit që bëri Ismail Morina në Beograd ku ngriti flamurin e Shqipërisë etnike në Serbi.

Po pse gjatë xhirimit të videos i drejtoheshit me emër ministrit Beqaj?

Po sepse ai del dhe mashtron. A e keni dëgjuar se çfarë thotë, miliona euro për urgjencën, shërbim modern etj…Ka ardhur në Shtator 2016 për ‘show’ tek Urgjenca e Tiranës. Solli 4 ambulanca të reja nga rrethet sa për të dalë në TV. Ato u zhdukën sapo iku ministri…

Që të jesh e sigurt unë i jam drejtuar atij si Ministër, nuk kam asgjë me personin Ilir Beqaj. Madje që ta dish unë i kam bërë 50 injeksione babait të tij të ndjerë. Familja e tij (nëna) më njeh mirë. U kam shërbyer…

Si po funksionon aktualisht urgjenca? Sa mjete keni në flotë? Dhe e fundit: A do të ktheheni tek ajo biruca që denoncove tek Stop?

Aktualisht janë 7 autoambulanca të shkatërruara, të ngjashme me atë që patë në pamjet e ‘Stop’. Personeli është shtuar, kanë ardhur infermierë të rinj. Jemi të ndarë në 3 qendra koordinimi: Spitali i Traumës, Sanatoriumi, QSUT-ja.

Unë tek ajo burica nuk shkoj më. Le të më nxjerrin pa punë po të duan. Por po hezitojnë të shkojnë edhe kolegët, edhe pse nuk dalin në TV të denoncojnë se kanë frikë. Ne nuk jemi kundër sistemit, ne duan kushte pune. Nuk duam të na vdesin njerëz në rrugë siç na ka ndodhur nga ambulancat e amortizuara… Thjesht duam të punojnë me dinjitet dhe profesionalizëm dhe jo të trajtohemi si dele. /Opinion.al
Shtuar më 10/02/2017, ora 11:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori