Frikë për një "21 Janar II": Sonte, protesta e madhe e opozitës pas "bombave" të BILD
Opozita do të zhvillojë sonte në orën 19:00 protestën e tetë kombëtare përpara Kryeministrisë duke kërkuar sërish largimin e Edi Ramës nga pushteti, pasi e akuzojnë si të lidhur me krimin.

Protesta e sotme vjen pas daljes së përgjimeve të reja nga gazeta gjermane "Bild", ndërsa kreu demokrat Lulzim Basha tha se një nga arsyet pse PD ka zgjedhur të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, është se nuk mund të konkurrojnë politikisht - sipas tij me kriminelët.

Ndërkohë, në media dhe në rrjetet sociale ka filluar të bëhet një paralelizëm mes demonstratës së "21 Janarit" 2011 dhe protestës së sotme pasi situata duket e ngjashme.

Demonstrata e 21 janarit u pri nga një valë protestash dhe u ndez nga video përgjimi ku dukej Ilir Meta duke folur për 700 mijë euro me Dritan Priftin.

Ndërkohë, kjo e sotmja vjen sërish pas një vale të madhe protestash dhe publikimit të disa përgjimeve nga "BILD" ku flitet për blerje të votës nga grupet kriminale në shërbim të "Rilindjes".

Demonstrata e 21 janarit përfundoi me 4 viktima dhe dhjetra të plagosur me plumb. Urojmë që të mos përsëriten më ngjarje të tilla të kobshme. /albeu.com/
Shtuar më 08/06/2019, ora 10:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori