Frikë nga Drejtësia? Kush është gjyqtarja që ndezi gjakrat mes Metës e maxhorancës
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme Marsida Xhaferllarin anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Por pas këtij vendimi, reagoi ashpër PS me ministren Elisa Spiropali e cila deklaroi se me këtë veprim, Presidenti Meta konfirmoi se ka frikë nga Drejtësia.

“Edhe njëherë, Ilir Meta dha një shembull spektakolar për ta kuptuar kush ende nuk e ka kuptuar, se Reforma në Drejtësi ndan thellë e qartë shumicën qeverisëse dhe parlamentin e vendit, nga fronti i atyre që me në krye Ilir Metën, i bashkon kundër nesh Frika nga Drejtesia,“-shkruan ndër të tjera ministrja.

Por kush është Marsida Xhaferllari që Meta dekretoi sot?

Ajo ishte renditur e fundit me pikë në listën që KED i kishte dërguar Presidentit Ilir Meta, për në Gjykatën Kushtetuese. Për ish-kryeinspektoren pranë Inspektoratit të ish-KLD që është dekretuar për anëtare të Gjykatës Kushtetuese vettingu në 11 mars të këtij viti nuk doli me një vendim.

Komisioni i vettingut nuk e njohu si magjistrate kryeinspektoren e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë Marsida dhe vendosi që ndaj saj të mos dalë me një vendim për ta shkarkuar apo konfirmuar në detyrë, por Xhaferrllari e apeloi vendimin.

Marsida Xhaferllari, e ka nisur karrierën si gjyqtare e Fierit e më pas në administratën e Ministrisë së Drejtësisë dhe në fund në KLD. Me vendimin e fundit të kreut të shtetit, Gjykata Kushtetuese mbetet me pesë anëtarë, ndërkohë që për të nisur punën duhen gjashtë.

Anëtarët që janë zgjedhur deri tani; Vitore Tusha, e vetmja që kaloi vettingun dhe të zgjedhurit e rinj, Besnik Muçi (i dekretuar nga Presidenti, por ende se ka kaluar vettingun), Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji u votuan nga Kuvendi dhe anëtari i pestë që duhet të ndahet mes Arta Vorpsit që u zgjodh automatikisht se Meta nuk e ushtroi të drejtën për të zgjedhur dhe Marsida Xhaferllari që Presidenti e dekretoi sot.

Shtuar më 13/11/2019, ora 17:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori